SPORT, 20 Maj 2026, 16:32

Tensioni te Milani, Kasano shpërthen ndaj Alegrit: Ibra ia thotë gjërat në sy

Tensioni te Milani, Kasano shpërthen ndaj Alegrit: Ibra ia thotë

Ish-sulmuesi i Milani, Antonio Kasano, ka komentuar zërat për marrëdhënien mes Masimiliano Alegrit dhe Zlatan Ibrahimoviçit gjatë emisionit “Viva El Futbol”, duke mohuar se ka ndërmjetësuar mes tyre përmes telefonatave me suedezin.

“Ibrahimoviç është drejtues dhe bën çfarë të dojë. E njoh prej 16 vitesh dhe është mik i imi, ashtu si Tiago Silva, Toti apo Montela. Me Zlatanin flasim sa herë të duam, por jo për Alegrin, sepse ai nuk ka nevojë që unë t’i them gjërat për të. Ibra ia thotë në sy, ashtu siç bënte edhe kur ishte lojtar”, deklaroi Kasano. Më pas ai sulmoi drejtpërdrejt Alegrin, duke pretenduar se trajneri ka nisur të përgatisë terrenin për largimin e tij. “Alegri ka lëvizur njerëzit e tij për të nxjerrë disa histori, sepse e di që do të shkarkohet edhe nëse arrin në top katërshe.

Pas gjithë katastrofës që ka bërë, pa i dhënë identitet skuadrës, tifozët nuk janë budallenj”, u shpreh ish-futbollisti italian. Kasano shtoi se Alegri duhet të largohet menjëherë: “Milani nuk mund të përfaqësohet nga një trajner i dobët. Alegri duhet të largohet dhe të qëndrojë në shtëpi”. Në fund, Kasano mbrojti edhe raportin e tij me Ibrahimoviçin: “Kur isha i sëmurë, Zlatani më qëndroi pranë. Ai është një njeri besnik. Të përfshihen këto histori do të thotë se dikush po tenton të njollosë imazhin e tij, dhe sipas meje këtë e ka nisur vetë Alegri”.