SPORT, 19 Maj 2026, 10:20

“Mbyllim një cikël me Sylvinhon”, presidenti Duka prezanton trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare: Ja objektivat për Maran

“Mbyllim një cikël me Sylvinhon”, presidenti Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka bërë zyrtar prezantimin e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, duke konfirmuar se skuadra do të drejtohet nga italiani Rolando Maran.

Në deklaratën e tij, Duka theksoi mbylljen e një cikli me ish-trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, të cilëve u shprehu mirënjohje për kontributin në ekipin kombëtar.

Ai e përshkroi bashkëpunimin si një periudhë të rëndësishme me emocione dhe rezultate, duke nënvizuar se ndryshimi është pjesë normale e futbollit dhe është bërë me konsensus.

“Do të bëjmë publik emrin e trajnerit të ri të Shqipërisë, që është në krahun tim, Rolando Maran. Mbyllëm një cikël me Silvinjon dhe stafin e tij, e falenderojmë për kontributin e tij në Kombëtare. Bashkë kemi kaluar një periudhë shumë të rëndësishme, me emocione, kemi qeshur dhe kemi qarë. Në futboll konsiderohet normale mbyllja e një cikli, ndahemi me konsensus. Hapim një cikël të ri me një trajner jo të ri në moshë, siç është zoti Rolando Maran.

Objektivat tona mbeten aty ku duam të jemi, vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi për në EURO 2028, dhe më pas për të vazhduar me objektivin që se kemi arritur asnjëherë për të qenë pjesë e Botërorit.

S’dua të zgjatem më tepër, dua të falenderoj Silvinjon, Dorivën, Zabaletën, për kontributin dhe bashkëpunimin me Kombëtaren shqiptare. Iu uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran me Kombëtaren shqiptare, unë nuk bëra CV-në sepse është një emër i njohur duke qenë se ka trajnuar skuadra të rëndësishme si në Serinë A dhe B në Itali, dhe jam i sigurt që do të bëjë mirë  në kualifikuese”, tha ndër të tjera Duka.