SPORT, 9 Janar 2023, 19:36

Telashe pa fund për Interin, dëmtohet edhe mesfushori para derbit me Milanin

Telashe pa fund për Interin, dëmtohet edhe mesfushori para derbit me

Interi nuk po kalon një periudhë të lumtur ku rezultateve me luhatje po i shtohet një listë e gjatë futbollistësh në infermieri. Emra të rëndësishëm që po prishin planet e trajnerit Inzagi në një moment kur skuadra përballet me një seri të rëndësishme ndeshjesh.

Kësaj liste së fundmi i shtohet edhe Hakan Çalhanollu, i cili është në dyshim pas një dëmtimi që mori në ije në barazimin 2-2 ndaj Monzës. Futbollisti turk, i cili normalisht do të ishe titullar në duelin e Superkupës ndaj Milanit më 18 janar, rrezikon të humbasë sfidën në Riad pasi situata e tij është më shqetësuese.

Inzagi kishte vlerësuar turkun për rolin që po kryen tashmë si zëvendësuesi i Brozoviç. Por ndërkohë, ai nuk është në gjendjen më të mirë dhe kështu do të detyrojë trajnerin të bëjë ndryshime të tjera. Këtyre problemeve i shtohen edhe ato të Lukakut, i cili është lënë pushim për ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Parmës.

Në klub tregojnë se nuk bëhet fjalë për gjëra shumë serioze por duke parë serinë e dëmtimeve dhe përsëritjeve të tyre te belgu, kanë vendosur që ta lënë të pushojë i qetë që të jetë në maksimum pikërisht duke menduar sfidën me kuqezinjtë.