SPORT, 15 Mars 2023, 08:58

Sot mund të shkruhet historia në Kupën e Shqipërisë, dy ndeshje të zjarrta për emrat që i bashkohen Tiranës dhe Teutës

Sot mund të shkruhet historia në Kupën e Shqipërisë, dy

Tirana dhe Teuta, të kualifikuara këtë të martë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, presin sot të mësojnë emrat e skuadrave të tjera që do të plotësojnë katërshen më të mirë  të këtij turneu.

Një aktivitet që merr një rëndësi të veçantë për faktin se çon në Ligën e Konferencës dhe në një sezon me shumë rivalitet, disa klube pretendente mund ta humbasin këtë objektiv nëpërmjet kampionatit.  

Ndeshja e parë e ditës së sotme është ajo mes Laçit dhe Egnatias e cila luhet në orën 13:00. Dy skuadrat kanë mbyllur në barazim pa gola ndeshjen e parë ndaj gjithçka është e hapur për sa i përket vijimësisë në turne.

Për rrogozhinasit, kalimi në gjysmëfinale do të ishte historik, pasi asnjëherë më parë nuk kanë arritur në atë fazë të Kupës së Shqipërisë.

Një sfidë e ethshme dhe padyshim shumë e ndjekur do të jetë edhe ajo Partizani-Vllaznia e cila luhet në orën 17:00. Shkodranët vijnë në kryeqytet me avantazhin e dy golave, pasi kanë fituar 3-1 sfidën e parë në shtëpi. Por për të kuqtë gjithçka është e hapur duke llogaritur cilësitë që kanë në skuadër, edhe pse ekipi i Kolelës vazhdon të ketë shumë luhatje në këtë sezon.

NDESHJET SOT

Laçi-Egnatia (0-0) ora 13:00
Partizani-Vllaznia (1-3) ora 17:00.