SPORT, 13 Mars 2023, 10:55

Reali përfshihet në skandal, Laporta: Edhe këta kishim mangët, jemi të pafajshëm

Reali përfshihet në skandal, Laporta: Edhe këta kishim

“Çështja Negreira” ka kaluar në një dimension të ri pas përfshirjes së Realit të Madridit në skandalin e blerjes së gjyqtarëve nga Barcelona.

Deri më tani klubi madrilen kishte qëndruar jashtë debatit, por dalja e prokurorisë spanjolle me akuzë zyrtare ndaj Barcelonës ka sjellë dhe reagimin e Madridit. Klubi i bardhë nëpërmjet një komunikate për mediat ka bërë me dije se do të përfshihet në procesin në ngarkim të katalanasve.

Fakti që dhe Reali ka dalë me një komunikatë kundër Barçës ka sjellë reagimin e ashpër të presidentit të Barcelonës, Joan Laporta. Ai ka folur për mediat duke u përpjekur të qetësojë dhe tifozët “Blaugrana”. Laporta ka nënvizuar sërish se Barcelona nuk ka blerë dhe nuk ka tentuar të blejë ndonjëherë gjyqtarët në La Liga.

“Të dashur tifozë të Barcelonës, duhet të qëndroni të qetë.

Barcelona është tërësisht e pafajshme. Ne jemi viktimë e një fushate të mirorkestruar. Problemi është se është viktima ajo që po sulmohet. Kjo është një fushatë ku të gjithë janë kundër nesh.

Nuk habitem (i referohet edhe deklaratës së Realit të Madridit), asnjë surprizë. Por ne do të mbrojmë Barcelonën dhe do të vërtetojmë pafajësinë e klubit. Të tjerët mendoj se duhet të reflektojnë për këtë situatë”, ka shkruar presidenti i Barcelonës në një reagim në profilin e tij në “Twitter”.