TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Jyrgen Klop ka ngelur shumë i zhgënjyer prej humbjes 1-0 të Liverpulit në Bornmëth dhe druhet se ky rezultat mund të lërë gjurmë të mëtejshme mbi lojtarët e tij në këtë sezon të vështirë.
Goli i Filip Billing në pjesën e parë rezultoi vendimtar në “Vitality Stadium”, për t’u shkaktuar “Reds”-ave humbjen e tyre të shtatë në transfertë këtë sezon të Premier Ligës, vetëm 6 ditë pasi poshtëruan 7-0 Mançester Junajtidin në “Anfield”. Skuadra nga Mersejsajdi humbi një seri rastesh në fillim të ndeshjes dhe pastaj shpërdoroi mundësinë më të mirë për të barazuar, kur Salah gaboi shënjestër nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e dytë.
“Jam shumë i zhgënjyer. Mendoj se për 95 minuta ne luajtëm ndeshjen që Bornmëthi donte të luanim. Kishim vetëm pak minuta, në të cilat bëmë atë që donim të bënim. Patëm shanse të mëdha, të cilat nuk i shfrytëzuam. Kjo humbje ishte një goditje e rëndë. Duhet të sigurohemi që gjithçka do të shkojë mirë dhe bëjmë një ndeshje të madhe kundër Realit të mërkurën. Tani duhet të shohim sa të thella janë plagët dhe nisemi prej atje”, tha trajneri gjerman.
“Reds”-at duhet të përmbysin të mërkurën humbjen më të thellë në “Anfield” 5-2 për të vazhduar më tej aventurën e tyre në Europë. Në historinë e Champions-it në duelet me eliminim direkt, vetëm 5 herë ka ndodhur që skuadra, e cila ka humbur ndeshjen e parë në shtëpi, të ketë avancuar në raundin tjetër: katër prej tyre e kanë bërë pasi kanë humbur me diferencë të një goli në stadiumin e tyre. Totenhemi kundër Ajaksit në gjysmëfinalet e 2018-’19, Ajaksi kundër Realit në 1/8-at e 2018-’19, Interi kundër Bajernit në 1/8-at e 2010- ’11 dhe Ajaksi kundër Panathinaikosit në gjysmëfinalet e 1995-’96. Por vetëm një ekip ka përmbysur një humbje në shtëpi me dy gola diferencë: Mançester Junajtid, kur “Djajtë” mundën 3-1 PSG-në dhe u kualifikuan në çerekfinalet e 2018- ’19 pas humbjes 2-0 në “Old Trafford”. Nëse përmbysin në “Bernabeu”, Liverpuli do të bëhej skuadra e parë që kthen një rezultat me tre gola diferencë.