AKTUALITET, 5 October 2026, 13:48

Gara/ Ilir Panda zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës së Lartë, kandidatura e tij votohet unanimisht nga 14 gjyqtarë

Gara/ Ilir Panda zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës së Lartë,

Ilir Panda është kryetari i ri i Gjykatës së Lartë. 14 gjyqtarët e kësaj gjykate kanë votuar ‘pro’ kandidaturës së Pandës, i cili ishte i vetëm në garë.

 Panda do të marrë detyrën në 19 tetor dhe do të pasojë në atë pozicion Sokol Sadushin, mandati i të cilit ka përfunduar.

Gara për kryetarin e Gjykatës së Lartë u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati 3-vjeçar i Sadushit përfundon në 17 tetor.

Ilir Panda është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë.

Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.

Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.