SPORT, 13 Mars 2023, 12:08

Ançeloti, 100 fitore: Jemi favoritë, por duhet të kemi kujdes nga Liverpuli

Ançeloti, 100 fitore: Jemi favoritë, por duhet të kemi kujdes

Reali i Madridit është kthyer te fitorja në La Liga, duke mundur të shtunën Espanjolin me shifrat 3-1 dhe duke paralajmëruar Liverpulin për takimin e mesjavës në Ligën e Kampioneve. 

“Los Blancos” kanë arritur një fitore me përmbysje përballë mysafirëve nga Barcelona. Espanjoli ka qenë i pari që ka kaluar në epërsi me Hoselun (goli i parë pas më shumë se 3000 ditësh në “Bernabeu”), por Vinicius, Militao dhe Asensio kanë përmbysur gjithçka duke u dhënë tri pikët të besuarve të Ançelotit. Suksesi ndaj Espanjolit ka qenë i veçantë për trajnerin e Realit të Madridit.

Italiani ka regjistruar fitoren e tij numër 100 në La Liga nën drejtimin e “Los Blancos”, një shifër që e ka arritur në 139 ndeshje në kampionatin spanjoll. Veç 100 sukseseve, Ançeloti numëron dhe 21 barazime dhe 18 humbje në të dyja periudhat që ai ka drejtuar Realin e Madridit.

Karlo Ançeloti është bërë në këtë mënyrë trajneri i tretë në historinë e Realit të Madridit që arrin shifrën e 100 fitoreve në La Liga. Para tij qëndrojnë Migel Munjoz me 257 fitore dhe Zinedin Zidan me 124 fitore.

MENDJA TE LIVERPULI – Espanjoli është një kapitull i mbyllur për Realin e Madridit. Edhe për trajnerin Ançeloti, i cili pas suksesit kundër bardhebluve ka kthyer menjëherë sytë nga takimi i mesjavës në Ligën e Kampioneve kundër Liverpulit. Madrilenët kanë fituar 5-2 takimin e vajtjes në “Anfield” dhe janë dukshëm favoritë për të prerë biletën për në çerekfinale. Edhe Ançeloti ndan të njëjtin mendim.

Megjithatë, ai nuk e ka cilësuar të mbyllur çështjen e kualifikimit. “E kemi një eksperiencë nga sezoni i kaluar kundër Çelsit. Jemi të avantazhuar, nuk mund ta fshehim se jemi ne favoritë për të shkuar më tej.

Por nuk duhet të harrojmë se janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe duhet t’i luajmë me të njëjtën frymë si në ‘Anfield’.

Avantazhi që kemi nuk duhet të na bëjë të flemë mbi dafina. Kjo ndeshje mund të paraqesë plot kurthe, ndaj duhet të bëjmë shumë kujdes”, ka deklaruar trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti.