SPORT, 12 Maj 2026, 18:13

Seria A në kaos të plotë, turneu i tenisit bën lëmsh luftën për Champions dhe shtyn ndeshjet e fundjavës

Seria A në kaos të plotë, turneu i tenisit bën lëmsh

Seria A është përfshirë në një kaos të pazakontë, që mund të sjellë shtyrjen e ndeshjeve të kësaj jave që mund të jenë përcaktuese për luftën për një vend në Ligën e Kampioneve.

Gjithçka nisi me faktin se Liga e Serisë A, planifikoi për këtë të diel ndeshjen mes Romës dhe Lacios. Por paralelisht me të, në kryeqytetin italian këtë të diel zhvillohet edhe finalja e turneut ndërkombëtar të tenisit në Romë. Ndaj prefektura vendosi që ndeshja të luhej në orën 12:30 për shkak të garantimit të rendit publik, pasi dihet që derbi është një përballje e cila shkakton trazira dhe nuk duhej të përplaseshin të dy aktivitetet.

Duke ruajtur parimin e ndeshjeve në të njëjtin orar për të mos i dhënë avantazh asnjë skuadre, Seria A duhej të luante edhe ndeshjet Komo-Parma, Xhenoa-Milan, Juventus-Fiorentina dhe Piza-Napoli në të njëjtën orë. Por sot, përsëri Prefekti i Romës, vendosi që për shkak të sigurisë, të shtyhej zhvillimi i derbit për të hënën, në orën 20:45, që sjell paralelisht spostimin edhe të 4 ndeshjeve të tjera.

Një situatë e cila nuk është pranuar nga Seria A, e cila ka bërë ankimim në Gjykatën Administrative të Lacios për të hedhur poshtë këtë urdhëresë, pasi për situata sigurie, autoritetet lokale kanë prioritet ndaj atyre futbollistike mbi zhvillimin e eventeve. Ndaj pak ditë para zhvillimit të këtyre ndeshjeve askush nuk e di ende se kur do të zhvillohen ato, me një kaos të pazakontë që ka mbërthyer javën e parafundit të Serisë A.