SPORT, 30 Dhjetor 2022, 11:08

Pele kundër Maradonës, debati i përjetshëm dhe një rivalitet përtej topit

Pele kundër Maradonës, debati i përjetshëm dhe një

Pele apo Maradona? Kush ishte më i miri? Të flasësh për njërin është si një sinonim i përmendjes së tjetrit. Rivaliteti i tyre, krahasimi i tyre ishte i pashmangshëm, sepse ata janë pa dyshim dy nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit.

Ndoshta më të mëdhenjtë. Edhe pse nuk u përballën kurrë në fushë dhe e zhvilluan karrierën e tyre në periudha të ndryshme, gjithmonë ka pasur një debat se kujt i përket hegjemonia. As ata dhe as fansat e tyre nuk janë dakord, as sot e kësaj dite.

Për brazilianët, Pele do të jetë gjithmonë lojtari i tri Kupave të Botës, ai me më shumë se 1000 gola në karrierë, “O’Rei” i tyre. Për argjentinasit, Maradona do të mbetet në kujtesë përgjithmonë si futbollisti që i çoi në lavdi në “Meksikë 1986”, si ai që mori mbi supe “Albiliçestët” për t’i ngjitur në fronin e botës për herë të dytë. Pasarela i përcaktoi si më poshtë dy legjendat: “Maradona ishte më tërheqës kur luante, por Pele ishte më inteligjent”.

Si informacion statistikor, shërbejnë të dhënat e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) dhe që e caktoi “O’Rei” si futbollistin më të mirë të shekullit të kaluar.

Opinionet, megjithatë, janë të të gjitha ngjyrave. Përtej debatit të futbollit, Pele dhe Maradona luajtën ndeshjen e tyre të veçantë në mikrofona. Më poshtë janë disa nga frazat më të njohura të tyre.

SHIGJETAT E PELESË NDAJ MARADONËS – “Maradona ishte një lojtar i madh, por ai nuk gjuajti kurrë si duhet me këmbën e djathtë dhe nuk shënoi kurrë me kokë. I vetmi gol i rëndësishëm me kokë që shënoi ishte me dorë”! Kjo pasohet nga një tjetër: “Mamaja ime gjithmonë ka thënë se jam më i mirë”.

Ka edhe më të rënda: “Maradona është një shembull i keq. Ai ishte një futbollist i madh, por fatkeqësisht duhet të shohim se çfarë i ndodhi”.

SHIGJETAT E MARADONËS NDAJ PELESË – Duke iu referuar dhe Bekenbauerit: “Këta të dy largohen nga muzeu duke folur dhe thënë budallallëqe. Ata janë dy budallenj”.

Maradona ka qenë gjithnjë më i ashpër ndaj brazilianit: “Pele ka marrë pilulën e gabuar. Në vend që të merrte pilulën e gjumit, ai mori atë të mëngjesit. I sugjeroj që herën tjetër të marrë pilulat e duhura para se të flasë. Dhe të ndryshojë mjekun e tij”.

Për t’i shtuar një tjetër: “Pele luajti me lojtarë që nuk lëviznin nga vendi”. Për t’i vënë kapakun debatit, Pele e mbylli me këtë fjali: “Di Stefano ishte më i mirë se unë dhe Maradona”.