TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rregullorja e GJKKO-së që vendos kufizime për avokatët dhe gazetarët në sallat e gjyqit mund të përballet me standardet e reja që do të sjellë ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit.
Gjatë diskutimeve këtë të martë në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se me miratimin e Konventës, standardet e saj duhet të reflektohen në aktet ligjore dhe nënligjore, jo vetëm të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të organeve të pavarura të sistemit të drejtësisë.
“Me miratimin e Konventës ne duhet që të gjitha standardet e Konventës t’i mishërojmë në akte ligjore dhe nënligjore që miratohen, qoftë për Ministrinë e Drejtësisë, qoftë për organet e pavarura të drejtësisë”, deklaroi Gogu.
Diskutimi u hap nga deputeti Arjan Ndoja, i cili pyeti ministrin nëse rregullorja e miratuar nga GJKKO për sjelljen e avokatëve mund të bjerë në kundërshtim me Konventën dhe nëse Ministria e Drejtësisë kishte bërë një analizë për këtë çështje.
Diskutimet në Komision:
Arjan Ndoja: Jam pro miratimit të kësaj konvente. Kam disa probleme praktike. Ka dalë një rregullore nga GJKKO për sjelljen e avokatëve kur futen në GJKKO. A jeni në dijeni ju si ministër dhe nëse stafi juaj ka bërë ndonjë analizë mes kësaj konvente, a bie në kundërshtim kjo rregullore me këtë konventë?
Toni Gogu: Për konfliktin që mund të ketë mes rregullores së brendshme të GJKKO-së me konventën, mendoj që do të jetë detyrimi i çdo institucioni shqiptar, nëse ju çmoni që ta ratifikoni Konventën, që të marrë e të shikojë të gjitha aktet e veta. Në rolin e Ministrisë së Drejtësisë, ne duhet të shikojmë që standardi evropian të respektohet dhe palët të mos vuajnë aksesin e tyre në gjykata. Por ky është rol, mbikëqyrjen e këtij procesi e sheh patjetër vetë gjykata dhe e sheh KLGJ. Ministria e Drejtësisë do të duhet të sigurojë që të vendosë në dijeni palët dhe do të mundet të bëjë një rishikim të të gjithë kuadrit ligjor. Në këtë rast është një kuadër rregullativ, pra gjykata e vendos rregulloren, e miraton gjykata rregulloren, KLGJ shikon dhe shqyrton veprimtarinë e gjykatës. Por me miratimin e Konventës, ne duhet që të gjitha standardet e Konventës të mishërohen në akte ligjore dhe nënligjore që miratohen, qoftë për Ministrinë e Drejtësisë, qoftë për organet e pavarura të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë ka për detyrë të vendosë në dijeni këto institucione mbi detyrimet që ka marrë shteti ynë përsipër dhe që ata duhet t’i marrin në konsideratë.
Arjan Ndoja: Tek kjo e rregullores e kam në sensin që nuk është thjesht shqetësim përmbajtja, e kam te fakti që s’po zhvillohen proceset. Ka vendosur bojkot Dhoma e Avokatisë e s’po zhvillohen proçeset, dhe kjo sjell probleme me afatet e paraburgimit, të drejtat e të pandehurve.
Toni Gogu: Ndaj të njëjtin shqetësim me ju. Ju siguroj se gatishmëria ime, në rast se palët do të çmojnë që Ministria e Drejtësisë do të ishte institucioni i duhur, që të mundemi të të ulemi me palët, ne jemi të hapur. Ne s’mund të kalojmë kompetencat që na ka dhënë Kushtetuta e ligji. Palët mund ta zgjidhin. Ne kemi sjellë para jush një instrument ndërkombëtar që siguron aksesin që duhet të kenë avokatët në ushtrimin e profesionit të tyre dhe ky është një standart që e kanë marrë përsipër të gjitha ato palë që kanë nënshkruar Konventën. Tani ky standard duhet të bëhet pjesë e sistemit tonë të drejtësisë.