TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përpara ndeshjes së kthimit kundër PSG, Uli Hoenes sheh “momentumin” në anën e Bajerni dhe po mbështetet edhe te tifozët. 90 minutat spektakolare në Paris u zhvilluan pa Hoenes. Presidenti i nderit preferoi ta ndiqte gjysmëfinalen me më shumë gola në historinë e Ligës së Kampionëve nga shtëpia e tij.
“Kishte pak të bënte me bestytninë,” zbuloi ai. “Në fakt doja të fluturoja drejt Parisit, por unë dhe Rumenige nuk kemi qenë në asnjë ndeshje jashtë fushe deri tani. Dhe djemtë tanë thanë: ‘Nëse vjen tani me ne dhe humbasim keq, nuk është mirë.’ Natyrisht, nuk doja të isha ters.” Nëse Bajerni siguron finalen të mërkurën, “atëherë do të udhëtoj drejt Budapestit,” njoftoi ai. Skena të ngjashme me ato në Paris u panë edhe në shtëpinë e tij gjatë ndeshjes së parë. “Po të kishit parë mua dhe gruan time në sallon, ishte po aq kaotike sa në fushë.” Kur arbitri fishkëlleu fundin e ndeshjes, Hoenes pranoi se ishte “shumë nervoz”.
“Djemtë tanë janë kthyer shumë herë më parë. Dhe nëse loja do të kishte vazhduar edhe 10 minuta, duke parë ngërçet te parizienët, do të kishim bërë edhe më shumë. Kjo më bën optimist.” Hoenes u impresionua nga mënyra e lojës së Bajernit ndaj kampionëve në fuqi. “Duhet ta admirosh Kompani që e bëri skuadrën të luante kaq ofensivisht në Paris, ishte e pabesueshme.” Ai e pa penalltinë pak para pushimit si pikë kthese:
“Gjithçka e tillë është brutale, ti futesh në dhomat e zhveshjes me një ndjesi negative, ndërsa kundërshtari rikthehet i motivuar.” Marrëdhënia mes Bajernit dhe PSG ka ndryshuar. Paralelet mes punës së Kompani dhe trajnerit të PSG, Luis Enrike, ishin të dukshme në Paris, dhe klubet janë afruar edhe në nivel drejtues. Dhe nëse kjo marrëdhënie e mirë do të ndihmonte për një transferim të dëshiruar? Hoenes ka një favorit të qartë:
“Ashraf Hakimi, do ta merrnim menjëherë sepse do të përshtatej shumë mirë me ne.” Mbrojtësi maroken u dallua në ndeshjen e parë, duke dominuar krahun e djathtë deri në momentin kur u dëmtua dhe do të mungoj në ndeshjen e kthimit. “Për herë të parë, ndiej që publiku ynë është një ndihmë e madhe.” Hoenes e di çfarë do të jetë vendimtare: “E rëndësishme është të mos nxitohemi. Natyrisht, duam të shënojmë golin e parë.” Interesant do të jetë edhe qasja e PSG, “nëse do të sulmojnë që në fillim apo do të na lënë ne të luajmë.”.