SPORT, 4 Maj 2026, 16:23

Sadio Mane, lideri i Senegalit drejt ëndrrës… botërore

Sadio Mane, lideri i Senegalit drejt ëndrrës… botërore

I udhëhequr nga “hajmalia” Sadio Mane dhe duke pasur një grup lojtarësh të talentuar që tashmë kanë lënë gjurmë në skenën afrikane, Senegali do ta qaset në botërorin amerikan në Grupin I me shumë besim, ndërsa përgatitet të përballet me Francën, Irakun dhe Norvegjinë.

ARRITJET DHE CILËSITË E MANES

I qetë, i vendosur dhe i bekuar me shpejtësi, depërtim dhe instinkt vrasës për golin, Mane ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme ndër vite, duke arritur sukses në disa liga të ndryshme. Pasi u formua te “Generation Foot” dhe Metz, sulmuesi senegalez vazhdoi ngritjen e tij te Salzburg, ku përmirësoi lojën, përpara se të bënte emër në Premier League me Southempton. Megjithatë, ishte te Liverpul ku ai arriti një nivel tjetër, duke u bërë një nga figurat kryesore të epokës së Jurgen Klop dhe duke u konsoliduar si një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë. Në një treshe sulmi së bashku me Mohamed Salah dhe Roberto Firmino, Mane luajti një rol kyç në rikthimin e Liverpulit në majat e futbollit botëror, duke ndihmuar “The Reds” të fitonin Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës, Premier League, të dy kupat vendase në vitin 2022 dhe edicionin e vitit 2019 të kompeticionit që sot njihet si Kupa Ndërkontinentale e FIFA-s.

Gjatë kohës së tij në klubin nga “Merseyside”, ai realizoi 120 gola dhe dhuroi 46 asistime në 269 ndeshje. Një periudhë e shkurtër te Bajern Mynih në sezonin 2022/23 e pa Mane-n të shtonte në koleksionin e tij titullin e Bundesligës dhe Superkupën e Gjermanisë, pasi më parë kishte fituar dy herë radhazi “double”-in vendas me Salzburgun. Në gusht 2023, ai vendosi të përqafojë një sfidë të re duke iu bashkuar klubit saudit Al Nasr, ku luan përkrah një sërë figurash të njohura, të udhëhequra nga Kristiano Ronaldo. Ai vazhdon të sjellë eksperiencë dhe cilësi të provuar në nivelin më të lartë, në një kampionat që po rritet vazhdimisht.

Për Senegalin, ndikimi i tij ka qenë po aq i rëndësishëm. Lidershipi frymëzues i Manes ishte vendimtar në triumfin historik të vendit në Kupën e Afrikës 2021 (AFCON), trofeu i parë kontinental, dhe ai mbetet lojtari rreth të cilit shpesh ndërtohen shpresat në skenat më të mëdha. Me Kupën e Botës 2026 në horizont, ai pritet të jetë sërish krenaria e “Luanëve të Terangës”.

Jurgen Klop: “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Nëse më pyesni nëse është sulmues, po, ndonjëherë. Është mesfushor? Po, ndonjëherë. Mund të luajë edhe më i tërhequr. Është fizikisht i fortë, teknikisht i shkëlqyer, jashtëzakonisht i shpejtë, i shpejtë edhe në mendim dhe godet mirë me të dyja këmbët. Është një person fantastik”. Stiven Xherard: “Ai është i mrekullueshëm për t’u parë. Është tipi i lojtarit për të cilin do të paguaje çdo javë vetëm për ta parë. Është shumë i shpejtë dhe krijon gjithmonë diçka. Për dikë me atë shpejtësi, të ketë edhe teknikën dhe finesën që tregon… është botëror”. Xhemi Karrager: “Lojtari im i preferuar i kësaj epoke të Klopit, Sadio Mane, më në fund largohet. Pa shumë kërkesa, me performancë të lartë dhe kurrë i dëmtuar! Trofe dhe gola pa fund, një legjendë e vërtetë e Liverpulit. Faleminderit Sadio”. El Haxhi Diuf: “Edhe pse nuk është më aq i shpejtë sa në moshën 25-vjeçare, ai na ndihmon shumë. Me të në fushë, shanset tona për të fituar rriten në 60 për qind, sepse kundërshtarët shqetësohen kur ai është aty. Ende nuk kemi parë fundin e Sadios”.

Mane hyri në historinë e Premier League më 16 maj 2015, kur shënoi një “hattrick” për Southempton kundër Aston Vilës në vetëm 2 minuta e 56 sekonda, duke thyer rekordin e Robie Fouler. Ky mbetet “hat-trick”-u më i shpejtë në historinë e kampionatit. Idhujt e tij të fëmijërisë ishin Ronaldinjo dhe El Haxhi Diuf. Ai madje i kishte thënë mikut të tij të ngushtë se një ditë do të arrinte nivelin e tyre. Mane nuk e ka harruar kurrë Bambalin, fshatin ku u rrit, dhe mbetet shumë i lidhur me rrënjët e tij. Ai ka financuar një sërë projektesh si qendër shëndetësore, shkollë të mesme dhe fushë futbolli, duke ndihmuar komunitetin e tij.

Me 124 ndeshje, ai renditet i dyti në historinë e Senegalit për paraqitje, pas Idrisa Gueje me 129. Me 52 gola, është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Senegalin, duke thyer rekordin e Henri Kamara në vitin 2022. Gjatë tetë sezoneve në Angli, ai gjithmonë shënoi me dy shifra. Në sezonin 2018/19 fitoi “Këpucën e Artë” së bashku me Salah dhe Pierr-Emerik Aubamejang me nga 22 gola secili.

Mane ka marrë pjesë vetëm në një Kupë Bote, në Rusi 2018, ku luajti çdo minutë për skuadrën e tij. Senegali fitoi 2-1 ndaj Polonisë, barazoi 2-2 me Japoninë dhe humbi 1-0 ndaj Kolumbisë. Mane shënoi kundër Japonisë dhe ishte një kërcënim konstant, por skuadra nuk arriti të kalojë grupin. Në vitin 2022, një dëmtim e detyroi të mungonte.

Senegali do të shkojë në Kupën e Botës 2026 me ambicie të mëdha, i shtyrë nga një brez i artë që tashmë ka eksperiencë në turne madhorë. Pas triumfit në Kupën e Afrikës 2021 dhe duke synuar të ndërtojë mbi sukseset e fundit, objektivi është kalimi në fazën me eliminim direkt dhe, më tej, barazimi i arritjes historike të vitit 2002, kur arriti në çerekfinale. Ndërsa Senegali përgatitet të nisë aventurën kundër Francës dhe të rikthejë magjinë e vitit 2002, Mane mbetet figura qendrore. Eksperienca, lidershipi dhe aftësia e tij për të vendosur ndeshje e bëjnë atë simbolin e një skuadre që synon të shkëlqejë sërish në skenën botërore.