SPORT, 11 Maj 2022, 23:50

Kryevepër zikaltër, Interi fiton Kupën e Italisë. Triumf madhështor ndaj Juventusit

Kryevepër zikaltër, Interi fiton Kupën e Italisë. Triumf

Kupa e Italisë është e Interit për të tetën herë. 

Skuadra e Simone Inzagit mposhti 4-2 pas shtesave Juventusin dhe ngriti trofeun në një finale emocionuese, ndërkohë që koha e rregullt kishte përfunduar 2-2. 

Një triumf zikaltër, që vjen pas 11 vitesh! Pas Superkupës së fituar në janar, po ndaj Juventusit (2-1), po pas 120 minutave lojë, Interi arrin suksesin e dytë me Inzagin në bankinë. 

Interi e nisi ndeshjen me vrull dhe shënoi gol pas shtatë minutash lojë. Barella shtangu portierin Perin me një goditje potente në hyrje të zonës dhe “Olimpico” shpërtheu në festë. Bardhezinjtë u tronditën për momentin dhe gabimet e tyre ishin të shumta.

Sinjalin e parë për Juventusin e dha Paulo Dibala, i cili edhe në minutat në vazhdim u mundua shumë të shënonte. Portieri i Interit, Handanoviç, ishte në lartësinë e duhur, sidomos në minutën e 24-t kur i mohoi golin serbit Vlahovic.

Në pjesën e parë pati edhe një tentativë të Bernardeskit, por nuk u prodhua gol tjetër. Fraksioni i dytë i lojës nisi me gol për Juventusin. Aleks Sandro në të 50’ goditi fort nga jashtë zone dhe Handanoviç nuk e ndaloi dot, duke bërë që gjithçka ta baraspeshohej.

Tri minuta u deshën që Juventusi të shënonte edhe golin e dytë. Dusan Vlahovic e përplasi në kokën e portierit të Interit topin në goditjen e parë, ndërsa me të dytën e çoi në rrjetë. Festë bardhezi, që mund të prishej nga gjuajtja e Dimarco më pas.

Minuta e 79-të solli një penallti në favor të Interit, për faull të Bonuçit ndaj Lautaro Martinez. Hakan Calhanoglu nuk gaboi dhe sërish barazim në “Olimpico”. 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan 2-2.

Në shtesa loja vijoi në ekuilibër, por një penallti ktheu rezultatin në favor të Interit. Perisic e ndëshkoi Perin për herë të tretë, kurse Alegri, i acaruar, u nxor jashtë me karton të kuq.

Kroati për katër minuta shtangu sërish Juventusin, duke shënuar një gol fantastik që vulosi fitoren e ndeshjes dhe Kupës së Italisë për Interin. Deri në fund nuk pati më gola dhe zikaltrit festuan trofeun e dytë, pas atij të Superkupës po ndaj Juventusit.

GOLAT  E NDESHJES

JUVENTUS-INTER 0-1:

7’ GOL INTERI! Predhë e Barela nga jashtë zonës, duke mos i lënë kohë të reagojë portierit Perin.

JUVENTUS-INTER 1-1

50’ GOL JUVENTUSI! Aksion i gjatë i skuadrës bardhezi që provon në çdo mënyrë të çajë. Sfera shkon te Aleks Sandro i cili gjuan nga jashtë zonës dhe një devijim i lehtë i Vlahoviç barazon shifrat.

JUVENTUS-INTER 2-1

52’ GOL JUVENTUSI! Pas një goditje nga këndi për Interin, juventinët nisin një kundërsulm të shpejtë me Dibala i cili pason për Vlahoviç. Ky i fundit futet në zonë, sheh gjuajtjen e parë të godasë në fytyrë Handanoviç e të dytën më pas e çon në rrjetë.

JUVENTUS-INTER 2-2

80’ GOL INTERI! Shënon Çalhanollu me penallti. Pas një kontakti në zonë mes Lautaro Martinez dhe Bonuçit, sulmuesi rrëzohet në tokë. Gjyqtari nuk ka dyshime dhe bën shenjë nga pika e bardhë.

JUVENTUS-INTER 2-3

99’ GOL INTERI! Shënon Perishiç me penallti. Kontakt mes De Ligt dhe De Vraj në zonë dhe Valeri lë lojën të vijojë, më pas sinjalizohet nga VAR dhe pasi sheh pamjet, bën shenjë nga pika e bardhë.

JUVENTUS-INTER 2-4

102’ GOL INTERI! Shënon Perishiç pas një kundërsulmi të shpejtë të finalizuar me një predhë nga jashtë zonës.