TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy gola nga Rodrigo në dy minuta krejtësisht të “çmendura” (90’ dhe 91’) dhe një penallti e realizuar me finesë nga Benzema në shtesë (97’), i garantuan Realit të Madridit një fitore madhështore 3-1 me përmbysje ndaj Mançester Sitit, në një ndeshje dramatike dhe plot emocione në “Santiago Bernabeu”, duke bërë të pavlefshëm triumfin 4-3 të anglezëve në “Etihad”, si dhe i siguruan rekordmenëve të kompeticionit më prestigjioz për klube një biletë për në finalen e Ligës së Kampioneve atje ku madrilenët do të përballen me Liverpulin, më 28 maj në Paris.
Finalja e 17-të për Realin, ku mban edhe rekordin me 13 trofe.
Ndeshje me emocione dhe ritëm. Në minutën e 4-t, Benzema merr një top të bukur nga Karvahal, por tentativa e tij me kokë shkon mbi kuadrat, duke shpërdoruar një mundësi të artë për Realin e Madridit.
Në minutën e 20-të, Bernardo Silva merr një top mjaft të mirë nga De Brujne, me portugezin që lëshon një gjuajtje të fortë drejt portës, po Kurtua reagon shumë shpejt duke i mohuar golin Mançester Sitit.
Me pjesën e parë që mbyllet pa gola, fraksioni i dytë nisi me Vinicius, që nuk shfrytëzon një pasim të artë të Karvahal. Sulmuesi i Realit dërgon topin jashtë, edhe pse ishte pak hapa larg portës.
Në minutën e 73-të, Bernardo Silva gjen hapësirë për të rrezikuar dhe pason për Mahrez i cili nga e djathta lëshon një gjuajtje të pakapshme për Kurtua, duke i dhënë avantazhin e përkohshëm 0-1 Mançester Sitit që e çoi rezultatin e përgjithshëm në 5-3 për skuadrën angleze, pasi takimi i parë në “Etihad” ishte mbyllur 4-3.
Kur dukej se gjithçka fliste për skuadrën e Pep Guardiolës, vijnë në limitin e ndeshjes dy minuta të çmendura për madrilenët në “Santiago Bernabeu”, që përmbysin edhe fatin e takimit.
Në minutën e 90-të, pas një topi të Kamavinga nga thellësia, Benzema kthen topin për Rodrigo, i cili barazon shifrat në 1-1. Në minutën e parë shtesë, në të 91’, një harkim perfekt në zonë i Karvahal dhe Rodrigo me kokë shënon golin e 2-1 për Realin dhe që e çoi rezultatin e përgjithshëm në 5-5, duke e çuar ndeshjen në shtesë.
Në shtesën e parë, në minutën e 97-të, Karim Benzema fitoi një penallti e shndërruar në gol po nga francezi, duke i çuar rezultatin në 3-1 dhe rezultatin e përgjithshëm në 6-5 për Realin e Madridit. Goli i 15-të për Benzema në Ligën e Kampionëve për këtë sezon, golashënuesi më i mirë i kompeticionit.
Një sukses i madh për trajnerin Karlo Ançeloti, që do të përballet me një strateg si Jyrgen Klop në drejtimin e Liverpulit.