SPORT, 13 Maj 2022, 11:05

Kontratë deri në 2027-ën dhe pagë stratosferike, Reali i Madridit “blindon” yllin e skuadrës

Kontratë deri në 2027-ën dhe pagë stratosferike, Reali i

Reali i Madridit pritet të shpërblejë me një kontratë të re dhe të përmirësuar ndjeshëm në terma financiarë sulmuesin e vet, Vinicius Zhunior.

Lajmi është dhënë nga gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”.

Sipas saj, Reali do t’i ofrojë rinovimin deri në vitin 2027 sulmuesit brazilian, teksa paga e tij do të pësojë një rritje galoponte nga 3.2 milionë euro aktualisht në 8-9 milionë euro në sezon.

Vinicius ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Realit në këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën në fitimin e dy trofeve si Superkupa e Spanjës dhe kampionati si dhe siguruar finalen e Ligës së Kampioneve.

Braziliani ka zhvilluar 50 ndeshje në këtë sezon, duke realizuar 19 gola dhe dhënë 16 pasime për gol. Kontrata e tij me Realin zgjat deri në vitin 2024, por klubi ka në plan një shtesë edhe për tri sezone të tjera.

Bisedimet mes palëve kanë nisur, por gjithçka do të finalizohet pas përfundimit të sezonit. Bisedimet për rinovimin e kontratës së tij me Realin i ka konfirmuar edhe vetë sulmuesi.