SPORT, 1 Shtator 2025, 11:04

Disfata e Interit në shtëpi, trajneri Kivu: Jemi një kantier i hapur

Disfata e Interit në shtëpi, trajneri Kivu: Jemi një kantier i

Humbja e Interit kundër Udineses nuk e ka dramatizuar trajnerin Kristian Kivu, i cili pas ndeshjes ka kërkuar qetësi dhe ka analizuar qartë të metat e skuadrës së tij. Sipas tij, Interi është ende në ndërtim dhe ka nevojë për shumë punë përpara se të arrijë ekuilibrin e duhur.

“Ndeshja kishte nisur mirë – ka thënë Kivu – por na mungonte rrjedhshmëria. Na u bë e vështirë të krijonim superioritet dhe, në momentin e parë të vështirë, me golin në disfavor, skuadra humbi qartësinë dhe motivimin. U shpërbëm shumë shpejt. Në pjesën e dytë pamë një Inter më guximtar, por përsëri pa qartësi dhe pa saktësi në rastet e krijuara.”

Tekniku rumun ka shpjeguar se gjatë pushimit kërkoi nga lojtarët më shumë kombinime, lëvizje dhe verticalitet në lojë. “Duhet të jemi më të hapur, të luajmë më shumë me topin dhe të marrim vendime më të thjeshta. Sa herë që arritëm qartësi, loja jonë funksionoi. Në fund vendosa të fus katër sulmues dhe duhet të them se Solet e Kristensen dhanë një kontribut të rëndësishëm.”

Kivu theksoi se ekipi i tij duhet të mësojë të menaxhojë momentet e ndeshjes. “Kur mund të luhet bukur, është mirë, por kur duhet bërë ‘punë e pistë’, duhet ta bëjmë. Ndonjëherë më mirë ta hedhësh topin mbrapa vijës sesa të humbasësh një kombinim të panevojshëm. Nuk jemi në formën më të mirë pas Torinos, por as nuk ishim të dobët kundër Udineses.

Jemi një kantier i hapur dhe duhet të punojmë fort për të gjetur ekuilibrin. Kampionati është ende i gjatë.” Në horizont është Derby d’Italia kundër Juventusit, por trajneri nuk do që të mendojë për të që tani. “Nuk dua të flas për atë ndeshje sepse shumë lojtarë do të shkojnë me kombëtaret. Shpresoj që pushimi të na sjellë qetësi dhe djemtë të kthehen më të karikuar. Ne duhet të përgatitemi hap pas hapi.”

Mesazhi i Kivut është i qartë: Interi është ende në fazë ndërtimi dhe rruga drejt një skuadre të fortë është e gjatë. Vetëm përmes punës së palodhur, qartësisë dhe menaxhimit të saktë të momenteve, zikaltërit do të mund të bëhen protagonistë të sezonit.