SPORT, 31 Gusht 2025, 12:46

Ndahet nga jeta ish-gjyqtari ndërkombëtar i FIFA-s, Lulzim Konçi

Ndahet nga jeta ish-gjyqtari ndërkombëtar i FIFA-s, Lulzim

Futbolli shqiptar është sot në zi, pas ndarjes nga jeta të Lulzim Konçit, një prej figurave më të njohura në sportin shqiptar. Ish-gjyqtari ndërkombëtar i FIFA-s ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer.

Konçi nisi rrugëtimin e tij me pasionin për futbollin si lojtar te Tirana dhe Dinamo. Më pas u ngjit në radhët më të larta të arbitrimit, duke përfaqësuar Shqipërinë si gjyqtar i FIFA-s.

Përveç kontributit të madh në sport, Konçi ishte edhe edukator. Ai mbeti i lidhur me botën e futbollit edhe pas tërheqjes si gjyqtar, duke shërbyer si vëzhgues.

Prej disa vitesh, ai jetonte në Nju Jork. 

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka shprehur ngushëllime familjes, teksa nuk hezitoi të vlerësonte kontributin e tij.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin e ndarjes nga jeta të Lulzim Konçit, një prej figurave më të spikatura të arbitrimit shqiptar.

Kontributi i tij si arbitër i FIFA-s dhe më pas si vëzhgues mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit tonë.

Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Konçi, të afërmve dhe komunitetit të arbitrimit shqiptar. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar” – shkruan Duka.