SPORT, 13 Shkurt 2022, 15:23

Devolli: Laçi me meritë i dyti, kthesa e madhe e Dinamos do të vijë nesër

Devolli: Laçi me meritë i dyti, kthesa e madhe e Dinamos do të

Trajneri i Dinamos, Bledar Devolli, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes së nesërme me Laçin e vendit të dytë në Superiore. 

Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ka lënë shenjë te 18 herë kampionët e Shqipërisë, që tani janë të fokusuar vetëm në kampionat.

Sipas Devollit, objektivi ndaj bardhezinjve është vetëm fitorja. 

“Normale që kjo situatë që po kalojmë është edhe pak psikologjike. Jemi këtu për të punuar në të gjitha drejtimet. Kemi përballë një kundërshtar të vështirë, që është me meritë në vend të dytë dhe besoj se do të jetë deri në fund pretendent për kampion. E kemi parë, sidomos këto ndeshjet e fundit, edhe pse nuk kanë luajtur mirë kanë fituar. Kjo tregon që janë rritur shumë si ekip.

Ne do të bëjmë punën tonë, i kemi marrë masat dhe do të luajmë vetëm për të fituar ndeshjen. Unë dua që ekipi të luajë siç dua unë, jo siç duan futbollistët. Sidomos në 20 metrat e fundit duhet të bëjmë ato gjërat që kam unë në kokë. Në qoftë se i bëjmë gjërat drejtë, edhe golat dhe rezultatet do vijnë që nga nesër”, u shpreh Devolli.