AKTUALITET, 4 Prill 2019, 15:39

Spiropali-Vokshit pas akuzave për rritjen e pagave: Keni probleme serioze me njohuritë

Spiropali-Vokshit pas akuzave për rritjen e pagave: Keni probleme serioze

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, nga selia e PD ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka gënjyer për rritjen e pagave të mësuesve dhe mjekëve.

“Më 17 tetor 2018 tha se rrogat do rriten më 1 prill. Sot është 4 prill, mjëkë e mësues më çojnë sms për mosmbajten e premtimeve nga Rama”,- tha Vokshi, duke aluduar se shkak i kësaj është mungesa e parave në arkën e shtetit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropalit.

Spiropali shprehet se rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe mjekët do të pasqyrohet në pagën e marrë në muajin maj.

“I kujtojmë Partisë Demokratike që pagat e muajit Prill paguhen në Maj kur dhe do të jetë e reflektuar rritja për mësues e mjekë. Si duket, dalja nga Parlamenti shkaktoka probleme serioze edhe me njohuritë mbi institucionet e tjera shtetërore”-shkruan Elisa Spiropali në Twitter.