BOTA, 10 November 2026, 13:57

Hegseth drejt shkarkimit? Republikanët kërkojnë largimin, Trump e mbron. Nisin të qarkullojnë emrat e pasuesve

Hegseth drejt shkarkimit? Republikanët kërkojnë largimin, Trump e

E ardhmja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duket gjithnjë e më e pasigurt. Pavarësisht mbështetjes publike nga presidenti Donald Trump, në Uashington po shtohen zërat për largimin e tij nga detyra, ndërsa kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve që mund ta zëvendësojnë.

Kërkesa për shkarkimin e tij u paraqit të hënën në Kongres nga republikani Thomas Massie, i cili e akuzon Hegsethin për shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës, kryesisht lidhur me menaxhimin e luftës kundër Iranit, por edhe me operacionet ushtarake në Jemen dhe Venezuelë. Nisma vjen pas humbjeve të thella të republikanëve në zgjedhjet e fundit të mesmandatit, ku lufta me Iranin dhe pasojat ekonomike të saj konsiderohen ndër faktorët që ndikuan në rezultatin zgjedhor.

"Sekretari Hegseth ka shpërdoruar kompetencat e detyrës së tij përmes veprimeve të mëposhtme: duke urdhëruar, autorizuar dhe vijuar operacionet ushtarake armiqësore të Shteteve të Bashkuara në Iran, edhe pasi të dyja dhomat e Kongresit miratuan Rezolutën 86, duke shpërfillur kështu udhëzimin e qartë dhe ligjërisht të vlefshëm të Kongresit për tërheqjen e forcave të armatosura amerikane nga këto armiqësi".

Hegseth, nga ana e tij, nuk duket i tërhequr. Ai deklaroi se do ta niste sërish luftën kundër Iranit, nëse do t'i jepej mundësia, duke mbrojtur vendimet e administratës Trump dhe operacionin ushtarak “Furia Epike”. I pyetur për mundësinë e shkarkimit përmes procedurës së fajësimit (impeachment), ai u shpreh se nuk ka frikë.

I zëshëm në mbështetje të tij vijon të jetë presidenti Trump, i cili, në një postim të fundit, e quajti humbës ligjvënësin Thomas Massie dhe tha se Hegseth duhet të vlerësohet, jo të shkarkohet. Po ashtu, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i doli në mbrojtje, duke e cilësuar një profesionist të madh.

Emri që përmendet si favorit për të pasuar Hegsethin në rast shkarkimi është guvernatori i Floridës, Ron DeSantis. Në listën e kandidatëve të mundshëm janë edhe ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, si dhe senatorja Joni Ernst. 

Por një ditë pas zgjedhjeve, Trump doli publikisht në mbrojtje të sekretarit të tij të Mbrojtjes.

Ndërkohë, Hegseth përballet edhe me një tjetër front, këtë herë në Kongres. Kongresmeni republikan Thomas Massie ka paraqitur një rezolutë për shkarkimin e tij përmes procedurës së fajësimit, duke e akuzuar për shpërdorim të pushtetit dhe për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin pa miratimin e Kongresit.

Sipas Reuters, një votim në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave. Megjithatë, edhe nëse rezoluta miratohet, largimi përfundimtar i Hegseth nga detyra nuk është automatik. Për këtë do të nevojitej një vendim fajësues nga Senati, me shumicë prej dy të tretash.

Kritikat ndaj drejtimit të Pentagonit nuk kufizohen vetëm te lufta në Iran. Demokratët kanë paralajmëruar hetime për shkarkimin e drejtuesve të lartë ushtarakë, politikat ndaj Ukrainës dhe operacionet ushtarake amerikane në ujërat e Amerikës Latine.

Vetë Hegseth ka refuzuar të tërhiqet përballë presionit, duke deklaruar se nuk do të dorëzohet dhe se do të qëndrojë në detyrë. Ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se Trump ka besim të plotë tek ai, e ardhmja e sekretarit të Mbrojtjes mbetet një çështje e hapur, në një kohë kur administrata amerikane po përballet me përçarje të brendshme dhe një betejë të ashpër politike për drejtimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë.
#petehegseth#SHBA