AKTUALITET, 4 Prill 2019, 13:58

Kujtim Gjuzi nuk ka marrë mandatin, sekretari i KQZ: Ngeli korridoreve

Kujtim Gjuzi nuk ka marrë mandatin, sekretari i KQZ: Ngeli korridoreve

Mund të jetë simbol i opozitës së re, por Kujtim Gjuzi nuk e ka marrë akoma mandatin. Kryetari i Partisë Konservatore u përfshi në një debat jo të zakontë me Sekretarin e Përgjithshëm të KQZ-së, Ylli Merkaj.

Gjuzi u ankua se ekspertët e KQZ-së e lënë të presë në hollin e KQZ-së, ndërkohë që është shprehur se kërkon të marrë mandatin e deputetit dhe nuk mund të presë procedurat që po zvarriten. Kryetari i KQZ, Klement Zguri ka këshilluar sekretarin e KQZ-së t’i presë të gjithë personat, por Ylli Merkaj reagoi me zemërim se Kujtim Gjuzi rri çdo ditë në korridoret e KQZ-së dhe se s’mund të merret me të çdo ditë, pasi ka dhe punë të tjera.

Klement Zguri: Ne jemi zyrtarë të shtetit, takimet të zhvillohen sa herë që ato do kërkohen. Nuk po i hyj se kush ka qenë rasti konkret.

Ylli Merkaj: Unë e shoh çdo ditë zotërinë (Kujtim Gjuzin) nëpër korridoret e KQZ-së. Tani kemi dhe punë të tjera, s’mund ta presim çdo sekondë dhe t’i japim…

Kujtim Gjuzi: E para, unë s’nxitoj për të marrë diçka zoti Sekretar i Përgjithshëm i KQZ. Nëse vartësit tuaj më thonë na prisni në holl, unë këtë s’mund ta pranoj se jemi në zyrat e shtetit shqiptar.

Kryetari e bëri këshillimin e tij dhe unë e falënderoj këtë. Unë do vij ditë përditë në KQZ nëse ka shqetësime për ato që ju thoni për vonesat në listat e kandidatëve. Ju prisni që 140 deputetët që do shkojnë në Parlament, ju doni ta çoni deri në fund të vitit, por ne s’mund të presim kështu.