AKTUALITET, 26 Dhjetor 2018, 11:03

Sot afati i fundit për të liruar shtëpitë, banorët e Bregut të Lumit: Nuk do lejojmë të vijnë fadromat, as për 300 vjet!

Sot afati i fundit për të liruar shtëpitë, banorët e

Sot është afati i fundit që ka vendosur INUK ndaj banorëve të Bregut të Lumit që preken nga projekti i Unazës së Madhe për prishjen e banesave të tyre.

Por banorët edhe sot kanë protestuar, ku kërkojnë dëmshpërblimet përkatëse për familjet e prekura.

Sipas paralajmërimit të INUK, banorët që kundërshtojnë dhe nuk lirojnë vullnetarisht banesat do të gjobiten me një shumë prej 5 milion lekësh të vjetra.

Njëri nga banorët e Bregut të Lumit u shpreh për Fax News se: “Drejtori i shpronësimeve në Bashkinë e Tiranës na ka thënë që deri me datë 10 janar nuk do ju prishën banesat. Sot ne kërkojmë shpronësimet e pronave tona. Shtëpitë tona nuk do t’i lirojmë jo për 10 ditë por as 300 vjet sikur të jetojmë.

Neve na intereson shpronësimi i shtëpive tona, kështu që ose do të marrin jetën tonë ose të veten. Do të lëmë jetën aty bashkë me fadromat edhe në qoftë se vijnë Edi Rama me Erion Veliajn”.

Një tjetër banor që preket nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe tha:

“U bënë 2 muaj që jemi në protestë për këtë punë dhe asnjë zgjidhje, ne nuk jemi të pa strehë, jemi banorë dhe të shembësh banesën e një banori do të thotë ta nxjerrësh në rrugë. Në 2005 më kanë pranuar në procesin e legalizimit dhe tani që vijoi projekti më kanë hequr nga ky.

Tani më thonë je skualifikuar nga legalizimi duke mos dhënë asnjë arsye. Ky është një diskriminim ndaj banorëve, bëhet një dallim i madh, sepse deri këtu afër banesave tona janë bërë shpronësimit ndërsa neve jo. Kur nuk ka lekë për shpronësimet le të ndalojnë edhe punimet për projektin jo të na nxjerrin në rrugë”.

Ai u shpreh se protesta jo vetëm që do të vijojë por edhe do të flijohen për shtëpitë e tyre.

Një tjetër banorë i cili preket nga projekti tha për Fax News:

“Jam në proces legalizimi. Ne kërkojmë zbatimin e Vendimit të Këshillit Bashkiak të miratuar në 2017- ën për shpronësimin e banorëve që preken. Që shtëpitë tona të sheshohen pa na shpronësuar nuk do të lejohet.

Nuk kemi për të lejuar që të futet njeri dhe këtë thirrje ia bëjmë edhe investitorit si edhe atyre që kanë marrë përsipër punimet për zbatimin e projektit.

Në 2008 kam një VKM që më është njohur prona, 10 herë jam paraqitur tek ALUIZNI për të marrë vlerën e shtëpisë dhe nuk ma kanë dhënë. Kam edhe një dyqan të vogël me të cilin mbaj fëmijët me bukë, por problemi është shtëpi sepse i kam krahët për të punuar por shtëpi nuk ndërtoj dot”.