AKTUALITET, 3 Gusht 2019, 09:43

Skënderbeu drejt shkatërrimit financiar

Skënderbeu drejt shkatërrimit financiar


Zbritja në ferr për Skënderbeun nuk ka fund. Skuadrës korçare pas konfirmimit të dënimit 10-vjeçar në KAS, FIFA i ka nisur një shkresë ditët e fundit ku e njofton se është e detyruar ta paguajë gjobën 1 milion euro para se të nisë sezoni.

Në të kundërt, edicionin e ri korçarët do ta nisin me -6 pikë shkruan Panorama Sport.

Kjo ndërhyrje e FIFA-s erdhi pasi UEFA ia ka bërë të qartë më parë Skënderbeut se duhet të paguajë gjobën para se të nisë sezoni, por zyrtarët e klubit i janë drejtuar më pas FIFA-s nëse mund të shtyhet afati për disa muaj apo jo.

Kjo e fundit i ka kthyer përgjigje se duhet të zbatojë udhëzimet dhe kërkesat që vijnë nga UEFA.

Drejtuesit e Skënderbeut thonë që betejën me UEFA-n, pas dënimit me 10 vite mospjesëmarrje në Europë dhe gjobës 1 milion euro për manipulime ndeshjesh ta vazhdojnë edhe në Gjykatën Federale të Zvicrës.

Veçse, për ta bërë këtë, ata duhet të vazhdojnë të funksionojnë ende si klub profesionist. E thënë ndryshe, për aq kohë sa dosja “Skënderbeu” do të jetë në zyrat e Gjykatës Federale, klubi nuk mund të shkrihet.

Kjo e komplikon akoma më shumë situatën, sepse tani Ardjan Takaj vendoset mes tri zjarreve:

1) shpenzimet për Gjykatën Federale;

2) shpenzimet për të mbajtur një ekip modest në Superiore;

3) detyrimi për të shlyer patjetër gjobën para se të fillojë sezoni.

Ka shumë pak shanse që Takaj t’ia dalë mbanë duke i përballuar të tria këto “fatura”.