AKTUALITET, 3 Gusht 2019, 09:34

Meta i fut edhe një kunj të paanshmit Palmer: Pse bëni sikur doni zgjidhjen e krizës?

Meta i fut edhe një kunj të paanshmit Palmer: Pse bëni sikur doni


Ilir Metës nuk i del e keqja me ndërkombëtarët. Edhe nga lartësia e maleve ku ka filluar pushimet ai ka publikuar një video mëngjesin e sotëm, ku ngre një pyetje për ata që i quan si të paanshëm, por që ia kalojnë në anshmëri edhe kryeministrit.

“Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar?

Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?”- pyet Meta.

Në fakt, një ditë më parë, zëvendësndihmës sekretari i shtetit Palmer propozoi si zgjidhje të krizës për zgjedhjet lokale ngritjen e Gjykatë Kushtetuese dhe shqyrtimin e tyre prej saj.

Ndërsa Meta në konferencën e tij për shtyp, deklaroi se vendimet e Kushtetueses edhe po të ngrihen nuk kanë efekt prapaveprues, ndaj ai propozoi si zgjidhje zgjedhje të trefishta në 13 tetor.

Prandaj menjëherë pas intervistës së Palmer ai ngre pyetjen: “pse nuk doni zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston”?

Postimi i Metës:

Mirëmëngjes të dashur miq!

Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike:

Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar?

Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?

Ju uroj një fundjavë të mbarë!