AKTUALITET, 2 Maj 2018, 14:43

Skandali i pedofilisë në Delvinë/Shoqet panë mësuesin “kur puthi” 11 vjeçaren (VIDEO)

Skandali i pedofilisë në Delvinë/Shoqet panë mësuesin

Dëshmi e fakte të reja po hedhin dritë mbi atë që dyshohet një skandal ngacmimesh seksuale në një shkollë të Delvinës. Një nxënese e shkollës ka dëshmuar se ka parë mësuesin e arrestuar Neshat Tepelena të puthë 11 vjeçaren që e denoncoi për ngacmim seksual. Ndërkohë babai i një prej shoqeve të denoncueses, thotë se mësuesi 60 vjeçar e ka marrë në telefon disa herë për ti kërkuar heshtjen e vajzës së tij për rastin në fjalë. Dëshmitë që janë tashmë pjesë e dosjes hetimore të prokurorisë së Sarandës, forcojnë dyshimet për një skandal të madh pedofilie në shkollë.

Dëshmi të reja të siguruara nga Ora News forcojnë dyshimet për skandalin e ngacmimeve seksuale të mësuesit Neshat Tepelena në shkollën 9 vjeçare të Kalasës në Delvinë.

Një nxënëse e shkollës së 11 vjeçares që denoncoi mësuesin se e puthi në klasë, e ka parë me sytë e saj ngacmimin që më pas u tregoi shoqja e shkollës me gojën e saj.

Vajza: Shoqja ime e pa që e puthi. Dhe pastaj kur e pa, në atë kohë unë sa e puthi ika.Dhe një të ardhur e takuam dhe na tha që e puthi.

Këtë dëshmi, kjo nxënëse e ka dhënë edhe në prokurorinë e Sarandës në prani të një psikologu, ku ka konfirmuar deklaratat e shoqes së denoncuese.

Vajza: Kur dalim në pushim e mban në klasë dhe i thotë pse nuk del jashtë. Nuk dua, i kishte thënë ajo. Edhe po nuk dole jashtë do të të vë katër, po dole jashtë do të të vë dhjetë.

Ndërsa babai i të miturës, tregon se mësuesi Neshat Tepelena e ka marrë të paktën 10 herë në telefon, duke i bërë presion për heshtjen e vajzës së tij, shoqe klase me denoncuesen.

Babai i dëshmitares: Kam një problem më thotë mua. Çfarë halli i them. Do ta dëgjosh, më thotë mua, por porosit vajzën që: Pe gjë, s’pashë gjë! Dhe unë për momentin i thashë si është puna, si është puna por ai nuk më tregoi gjë në telefon. I them vajzës, si është puna? Pastaj më tregon.

Si banor e prind, ai kërkon që çështjes ti shkohet deri në fund edhe pse shprehet mosbeues tek drejtuesia, duke iu referuar një rasti të ngjashëm të vitit 2003, ku mësuesi Tepelena e kaloi vetëm me vërejtje.

Babai i dëshmitares: Sot ajo, nesër mund ta ketë rradhën vajza ime. Ne fëmijët i çojmë në shkollë për të mësuar, nuk i çojmë për…

60 vjeçari, Neshat Tepelena, ndodhet aktualisht në qeli me masë sigurie “arrest me burg”, por provat dhe dëshmitë flasin për një skandal të madh pedofilie në shkollën e Kalasës.