AKTUALITET, 2 Maj 2018, 12:56

Rikonfirmimi/ Edi Rama komplimenton Erion Veliajn për punën në Tiranë

Ka pasur vazhdimisht hamendësime, nëse marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt ishte ftohur, krisur apo thyer për arsye që nuk u konfirmuan asnjëherë. Si shkaqe të kësaj distance hipotetike mes të dyve u përmend një rezistencë e lehtë e kryebashkiakut për taksat e ndërtuesve apo fakti se të dy nuk u panë bashkë në publik për një kohë të gjatë.

Por çfarëdo të ketë ndodhur, nëse ka ndodhur nuk ka mjaftuar për ta ndarë Erion Veliajn nga mentori i tij Edi Rama, që e pranon se pa të, kryebashkiakun do ta shihnim vetëm për ndonjë qokë ditëlindjesh apo vaki.

Për të disatën herë në dy ditë, Rama dhe Veliaj u shfaqën bashkë në një aktivitet qeveritar, madje kryeministri lëshoi disa komplimenta të lehtë për kryebashkiakun e Tiranës.

“Ky është një proces që ne e nisim nga Tirana, ku ne jemi shumë të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë, por vetëm ata që nuk duan të shohin e të dëgjojnë mund të mohojnë se sa shumë është bërë” u shpreh Rama duke folur për punën e Veliajt në Tiranë.

Në këto momente, këto fjalë nuk mund të interpretohen ndryshe, veç si rikonfirmim për kandidaturën e Veliajt në Tiranë, një vendim i pritshëm dhe pa aspak surprizues.

Por sapo tha këto fjalë, kryeministrin e kapi një kollë e bezdisshme që herë pas here ia ndërpriste fjalën. Shqetësimi i Veliajt kur shihte Ramën duke u kollitur, mund të kuptohet në foton më poshtë: