AKTUALITET, 9 Maj 2018, 15:37

Sigurimet rrisin borxhet, AMF: 400 mln lekë dëme të papaguara

Sigurimet rrisin borxhet, AMF: 400 mln lekë dëme të papaguara

Kompanitë e sigurimit po rrisin dëmet e papaguara ndaj qytetarëve. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, nga 2014 deri në 2017 borxhi është rritur me mbi 400 milionë lekë.

“Me situatën e konstatuar për vitin 2017, po përsëritet i njëjti fenomen si në periudhën 2002-2013 me ngjarje të akumuluara të papaguara, apo në proces gjyqësor në vlerën e 417 mln lekë”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i AMF-së, Ervin Koçi.

Në fakt kjo ka qenë një problematikë e nisur që në vitin 2002 dhe në total borxhi deri në 2013 i kalonte 3 miliardë lekët. Gradualisht është shlyer më shumë se gjysma e tij.

“Detyrimi nga viti 2002 deri në vitin 2013 ka qenë pak më shumë se 3 miliardë lekë, ku shoqëritë kanë shlyer deri në fund të vitit 2017 rreth 1.8 miliardë lekë”, sqaroi Koçi.

Tregu i sigurimeve në vend dominohet fort nga sigurimi detyrueshëm me mbi 92 për qind, ndërsa vetëm 8 për qind është sigurimi vullnetar. Ndërkohë, brenda sigurimit të detyrueshëm, pjesën derrmuese e zë sigurimi i mjeteve.

Top Channel