AKTUALITET, 9 Maj 2018, 15:30

Arta Marku shkarkon Hajdarmatajn, prokurorin e dosjes “Tahiri”

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj. Në vend të Hajdarmatajt është komanduar prokurorja Donika Prela.

Kujtojmë se Hajdarmataj është prokurori që po heton çështjen e ish ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri.

Largimi i prokurorit vjen një ditë pasi thirri për të marrë në pyetje Gentian Cekën, shofer i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kryeprokurorja e përkohshme lëshoi një deklaratë ku thuhej se: “Ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”.

Pyetur nga BIRN, Hajdarmataj tha se nuk kishte ndonjë informacion më konkret mbi shkaqet e shkarkimit, por theksoi se çështja më e rëndësishme që kishte deri para shkarkimit në duar ishte ajo e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Hajdarmatajt, shkarkimi nga posti i kreut të prokurorisë nuk sjell automatikisht heqjen e dosjes së Tahirit nga përgjegjësia e tij.

“Motivacioni nuk ishte shumë i qartë por besoj se kishte të bënte me dhënien e një hovi të ri apo impulsi më të madh të punës së  Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ishte një urdhër që më shkarkonte mua nga ana e drejtimit të prokurorisë së Krimeve të Rënda,  dhe në zbatim të tij, tani i bie që unë jam një prokuror i thjeshtë në këtë prokurori,” tha Hajdarmataj.

Pyetur se me çfarë mund të lidhet shkarkimi i tij në këtë kohë, Hajdarmataj tha:

“Unë nuk di të them se me çfarë ka lidhje ky shkarkim  por mund t’ju them se unë e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtë për së drejti, nga një sërë  hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë  së Krimeve të Rënda, është ajo e  dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Sajmiri Tahiri.

Unë tani jam prokurori i thjeshtë dhe normalisht do të vazhdoj  punën time me dosjet për të cilat jam i ngarkuar të hetoj, deri në momentin që mund të ketë ndonjë urdhër tjetër  për transferimin apo komandimin tim në ndonjë institucion tjetër,” shtoi ai.

Lidhur me shkarkimin e prokurorit Hajdarmataj, ka reaguar edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila e ka quajtur këtë një shkarkim të paligjshëm.

"Shkarkimi i paligjshëm i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda është rasti me flagrant i Edi Ramës dhe veglës së tij në Prokurorinë e Përgjithshme!

Besim Hajdarmataj ishte prokurori që nisi të hetojë për çështjen Tahiri, kërkoi dhe argumentoi ndalimin e tij me akuza të qarta dhe të bazuara, por që u hodhën poshtë nga deputetët e PS.

Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri që mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë", shprehet Kryemadhi në deklaratën e saj. 

I ashpër ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili akuzoi Edi Ramën, si personi që ka marrë vendimin për shkarkimin e Hajdarmatajt. Sipas Bashës, kryeprokurorja Arta Marku, është një kamikaze e Edi Ramës, e cila do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore.

Sot kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshmë njoftoi shkarkimin e drejtuesit të prokurorëve që hetojnë Saimir Tahirin. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës.  Shkarkimi i prokurorit është kryer direkt nga Edi Rama. Shkarkimi vjen vetëm pak ditë përapara mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia. Vjen pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Saimir Tahirit.  Shkarkimi vjen ditën kur PD denoncoi mbështetjen që ministri Xhafaj i ka dhënë dhe i jep vëllait të tij Agron Xhafaj, si kreu i një bande ndërkombëtare të trafikut të heroinës.  Edi Rama po bën gjithçka për të shpëtuar Saimir Tahirin", u shpreh Basha.