AKTUALITET, 11 Prill 2019, 23:51

Shumica parlamentare në Holandë kërkon rikthimin e vizave me Shqipërinë


Parlamenti i Holandës diskuton mundësinë e rikthimit të regjimit të vizave me Shqipërinë.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe partitë parlamentare CDA, VVD, PS dhe ChristenUnie ka kërkuar në shumicë rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, njofton portali holandez “Het Parool”.

Ministri i punëve të jashtme, Stef Blok, gjatë debatit të zhvilluar të mërkurën mbrëma, u shpreh ndër të tjera se, për një masë të tillë duhet dakordësia me të gjitha vendet e Unionit.

Ndërsa anëtari i Parlamentit Madeleine van Toorenburg, nga partia CDA, vuri në dukje se në vitin 2017, policia e Amsterdamit dhe autoritetet e drejtësisë kërkuan që të rifillohej regjimi i vizave për Shqipërinë.

Rritja e kriminalitetit në vend, ku shumica e trafiqeve drejtohen nga shqiptarë, ka sjellë disa herë debatin nëse Holanda duhet apo jo të rivendosë regjimin e vizave për shtetasit shqiptar.