AKTUALITET, 7 Nëntor 2017, 09:40

Shqipëria, me tatimin më të lartë mbi pagat dhe të ardhurat në rajon

Shqipëria, me tatimin më të lartë mbi pagat dhe të

Ministri i financave Arben Ahmetaj ka paralajmëruar  se do të përgatitet një projektligj i ri për taksimin progresiv, ku do të përfshijë edhe të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo siç janë tani të fragmentuara. “Çdo e ardhur do të kalkulohet si një e tërë për periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma. Progresiviteti do të ruhet”, ka pohuar Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë.

Kjo do të thotë automatikisht rritje e tatimit mbi të ardhurat e larta (pasi do të mblidhen të gjitha të ardhurat dhe do të tatohen me normë maksimale), ndryshe nga premtimi i qeverisë në prag të zgjedhjeve për uljen e tatimit mbi pagat 130 mijë lekë nga 23% në 18%.

Edhe pa këtë rritje, Shqipëria ka normën më të lartë të taksimit mbi pagat e larta dhe të ardhurat e tjera.

Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.

Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.

Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).

Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.