AKTUALITET, 26 Prill 2019, 18:52

“Shkodra e rrënuar”, ish-ministri Bushati del kundër qeverisë në sy të Ramës: DAR s’duhet të transferohet, harrohet tradita

“Shkodra e rrënuar”, ish-ministri Bushati del kundër


Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i del për të dytën herë hapur kundër qeverisë Rama. Në takimin e zhvilluar në Shkodër në kuadër të “Bashkia që duam”, Bushati e kishte kryeministrin Edi Rama 2 metra larg, por kjo nuk e pengoi që të thoshte se Shkodra është më shumë se bashkia që duam. “Shkodra që duam është më shumë se bashkia që duam. Sepse është gjëja më e thjeshtë që të vizatojmë atë që ka bërë bashkia Shkodër sot për sot. Është shumë më e gjerë, ka nevojë për mbështetje, vëmendje nga qeveria, duhet të respektohet tradita dhe Shkodra të ecë me hapin e shokëve të saj.”-tha Bushati.

Bushati la të kuptohet se transferimi i Drejtorisë Arsimore nga Shkodra në Lezhë duhet riparë. Duke e mbështetur në fakte historike, që prej 1600-ës, Bushati tha:

“Është përgjegjësia tonë që traditën t’a kemi më mirë në konsideratë. E di se shumë nga ju më kanë shkruar në lidhje me transferimin e DAR nga Shkodra në Lezhë. Jemi mikpritës për qytetarët, e dimë që jemi ai qytet që nga 1600 këtu janë krijuar shkolla. Ishte Luigj Gurakuqi, ministri i parë. Janë këto lloj shqetësimesh që e shohim Shkodrën si “kryeqendër” e veriut.”

Ish-ministri nuk i harroi kritikat për qeverinë dhe klasën politike, që tha se Shkodra sot është e rrënuar.