AKTUALITET, 27 Korrik 2019, 12:40

Shkodër, favorizonin bizneset, arrestohen dy inspektorë

Shkodër, favorizonin bizneset, arrestohen dy inspektorë


Policia njofton se ka arrestuar dy inspektorë të Bashkisë së Shkodrës. Në pranga kanë përfunduar inspektorët Idlir Dibra dhe Gege Nika.

Ata dyshohet se kanë favorizuar biznese për mospagim taksash në zonën e Velipojës.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Akomoduesi 2″

Arrestohen dy Inspektorë të Zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Procedohet në gjendje të lirë Drejtori i kësaj Drejtorie për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”.

Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi 2” , janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.

Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve: G. N. 52 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re Shkodër, ekonomist, inspektor; I. D.49 vjeç, banues në Shkodër, ekonomist, inspektor, për veprat penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.