AKTUALITET, 9 October 2026, 10:35

"Rokada" diplomatike mes Prishtinës e Shkupit, Meidani në Komision: Është nder i madh të përfaqësoj Shqipërinë në Kosovë, mbaj me vete ADN e babait tim

"Rokada" diplomatike mes Prishtinës e Shkupit, Meidani në

Denion Meidani, i propozuar për ambasador të Shqipërisë në Kosovë, ka prezantuar këtë të premte kandidaturën e tij në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Dëgjesa vjen në kuadër të rokadës diplomatike me Petrit Malajn, ku Meidani, aktualisht ambasador në Shkup, pritet të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Prishtinë, ndërsa Malaj të zhvendoset në Shkup.

Gjatë fjalës së tij, Meidani e cilësoi këtë detyrë si një përgjegjësi të veçantë dhe një urë të rëndësishme mes dy shteteve shqiptare, duke kujtuar edhe periudhën e luftës në Kosovë dhe angazhimin e të atit, Rexhep Meidani, në mbështetje të popullit të Kosovës.

“Të nderuar, ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur kandidaturën time si Ambasador i Shqipërisë në Kosovë. E pranoj këtë përgjegjësi, sepse është një urë e rëndësishme mes dy shteteve të një kombi.

Në pranverë 1999 kur Kosova po vuante, babai im, Rexhep Meidani premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Kosova në ato ditë për familjen tonë ishte më shumë se politikë. Për mua tashmë është një nder i madh, mbaj me vete ADN e babait tim”, u shpreh Meidani.