AKTUALITET, 5 Nëntor 2017, 14:31

I gjithë vendi me konçesion ! Ja kontratat

I gjithë vendi me konçesion ! Ja  kontratat

Megjithëse ishim një ekonomi e brishtë dhe e “panjohur” thuajse me elementet që funksiononin në ekonomitë botërore të zhvilluara, përsëri disa fenomene morën hov shpejt. “Fitimet e shpejta dhe të sigurta”. Kjo ishte ajo që shoqëroi “opinionin” e sipërmarrjes vendase dhe të huaj në momentin kur qëveria shqiptare vendosi të fusë në funksionim koncesionin.

Kështu në  më shumë se 20 vitet e fundit “mania”  për koncesionet ka qenë e dukshme që  nga  shfrytëzimi i nëntokës  në disa rrethe të vendit të cilat janë të pasura  me naftë, krom e bakër,  e deri te prodhimi i dokumenteve identifikuese të qytetarëve dhe i pasaportave për jashtë vendit, të aeroportit “Nënë Tereza” apo të terminalit të trageteve në Durrës, pullat fiskale, fibrat optike, kontrolli  teknik i automjeteve, markimi i karburanteve  dhe skanimi i kontenierëve në dogana.

Tashmë thuajse shumë shërbime janë dhënë më koncesion, ku fitimet e privatëve janë “të majme”, por  qytetarët a marrin shërbime më të mira,  kur dhe qëllimi  final i këtyre kontratave i tillë duhet të ishte? Por krahas volumit të madh të kontratave dhe investimeve, sërish vërehet kaos në trajtimin e koncesioneve, që edhe pse me ligj të hartuar me ndihmën e ekspertëve të BE-së, sërish problematikat në praktikë kanë qenë të shumta, çka ka sjellë  në jo pak raste  prishje të kontratave apo anullim të tyre.

Kjo jo vetëm më biznesin vendas, të cilit për të thënë të vërtetën,  jo vetëm që i mungonte eksperienca në këtë fushë, por nuk dispononte as burimet financiare për të qenë faktor në këtë proces.

Nga 172  kontrata, 143 janë dhënë në energji dhe gaz

Problematika të shumta kanë shoqëruar  kontratat e dhëna më koncesion gjatë viteve të fundit. Ndër më të debatuarat kanë qenë ato të dhëna në sektorë “sensitivë” si energjia, transporti apo shëndetësia. I gjithë thelbi i këtyre problematikave në vite ka qëndruar në mënyrën se si janë hartuar plan-bizneset, se sa serioze janë kompanitë në studimet që bëhen, se sa të sakta janë këto projekte,  pasi  në shumë prej tyre problem vazhdon të mbetet financimi i tyre. Por, nisur nga të dhënat në 13 vite, më konkretisht nga viti 2004 kur është dhënë dhe koncensioni i parë dhe deri në  2017, rezultojnë 172 kontrata të lidhura me shtetin shqiptar. Ndërsa referuar këtyre të dhënave në bazë të veprimtarisë, vendin kryesor e  zë  energjia dhe gazi, me 143 kontrata, me pas  vjen sektori i transportit me 15  kontrata, kontrolli fiskal  5 kontrata,  mjedisi 4 kontrata, punë të brendshme 3 kontrata, ndërsa sektorët e shëndetësisë dhe bujqësisë me nga 1 kontratë. Rritja e numrit të objekteve dhe shërbimeve publike të dhëna me koncesion në vitet e fundit është bërë objekt debatesh lidhur me kostot që kjo strategji po sjell për buxhetin e shtetit, por, edhe të individëve dhe bizneseve.

Më shumë koncesione në vitet zgjedhore

Dhënia e  objekteve  të ndryshme shtetërore  me koncesion apo e disa shërbimeve me formën partneritet publik-privat ka hapur debate të shumta. Ekspertë  të ndryshëm, por edhe  forcat politike në çdo pozicion  që kanë qenë  në vite, i kanë kundërshtuar duke vlerësuar se  do të rriten  pagesat nga qytetarët për shërbime të ndryshme. Sipas një përllogaritjeje të bërë nga “SCAN Magazine“, për të gjitha kontratat e lidhura në vite rezulton se fillimi i dhënies me koncesion është viti 2004, ndërsa vazhdojnë tashmë deri në 2017. Kështu referuar kontratave sipas viteve, vërehet numri i më i madh i koncesioneve është dhënë në vitet elektorale. Kështu, peshën më të madhe  të këtyre kontratave e mban viti 2009,  që zë 28.4% të gjithë kontratave të lidhura në 13 vite, i ndjekur nga vitit 2013, me 26.2%.

Në parim, koncesionet apo siç kanë nisur të quhen vitet e fundit “partneritet publik privat“,  janë cilësuar  nga qeveritë si  rruga e duhur për të rritur cilësinë e ofrimit të shërbimeve publike. Megjithatë, çdo rast kërkon një analizë serioze, për të garantuar se kostot e shtuara për publikun justifikohen nga vlera që merret në këmbim. Rritja e numrit të shërbimeve publike të dhëna me koncesion në vitet e fundit është bërë objekt debatesh lidhur me kostot që kjo strategji po sjell për buxhetin e shtetit, por, edhe të individëve dhe bizneseve. Por sipas të dhënave dhe ndarjes së institucioneve në vite, pasi me ndryshimet e qeverive në 13 vite, kanë ndryshuar disa herë edhe emërtimet e institucioneve dhe  kompetencat e këtyre dikastereve. Institucioni që ka dhënë më shumë koncensione është Ministria e Ekonomisë dhe  Energjetikës, e cila mban dhe peshën kryesore, ose 81.1 % të gjithë kontratave. Më pas, renditet Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës me 3.2 % dhe Punët Publike me 3.2 %, Ministria e Financave me 2.7 %, etj.

Por referuar këtyre ndryshimeve, sidomos viteve të fundit, kur në pushtet erdhën forcat e majta politike, filloi dhe ndryshimi i përkufizimit, duke i emërtuar koncesionet si “partneritet publik privat“. Kështu, në janar të vitit 2015 Ministria e Ekonomisë u kërkoi të gjitha ministrive dhe enteve publike të propozonin zhvillimin e shërbimeve dhe investimeve kapitale nëpërmjet formës koncesionare me “partneritet publik privat“. Ndërkohë, mësohet se Ministria e Financave në atë kohë ka propozuar  partneritetin publik privat për administrimin e taksës së pronës dhe mbledhjen e TVSH-së. Por, sipas këtij dikasteri kësaj do t’i shërbente edhe krijimi i bazës për informatizimin e taksave të reja të pronës që merr në konsideratë krijimin e një kadastre fiskale.

Kjo do të përmbajë të gjitha të dhënave ekzistuese mbi truallin, ndërtesat dhe pronarët/ banorët, dhe për të llogaritur detyrimin tatimor vjetor të shoqëruar me secilën pronë. Por a është momenti i duhur për ta dhënë  edhe mbledhjen e kësaj takse me “PPP“, në një kohë kur problemet e pronave në vendin tonë janë të mëdha? Ndërkohë që për mbledhjen e TVSH pati debate të ashpra si nga opinioni publik edhe opozita, çka bëri që dhe qeveria të tërhiqej nga kjo procedurë.

Scan