AKTUALITET, 23 Tetor 2018, 23:12

Real mposht Plzen pa probleme, Benzema si Messi dhe Raul

Real mposht Plzen pa probleme, Benzema si Messi dhe Raul

Real Madrid është kthyer më në fund te fitorja pas katër humbjesh dhe një barazimi të marrë në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet. Skuadra e Lopetegui-t, në fakt, ka mposhtur 2-1 çekët e Viktoria Plzen, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Grupit G të Champions League.

Njëmbëdhjetë minuta lojë i kanë mjaftuar “Los Blancos” për të zhbllokuar takimin e luajtur në “Santiago Bernabeu”. Autori i golit ka qenë Karim Benzema, i cili është bërë lojtari i tretë në historinë e Champions League, pas Messi dhe Raul, që shënon në 14 sezone të njëpasnjëshme në këtë kompeticion.

Kjo ka qenë një ndeshje e veçantë edhe për Gareth Bale, i cili ka luajtur sot ndeshjen e tij numër 200 me Real Madrid në të gjitha komnpeticionet. Një arritje kjo e festuar nga uellsiani me një pasim të bukur me thembër për Marcelo-n, i cili ka shënuar golin e dytë për vendasit në minutën e 56-të. .

Pavarësisht dominimit të kampionëve në fuqi të Europës, Plzen ka arritur të befasojë mbrojtjen madrilene në minutën e 79-të, duke ngushtuar diferencat në 2-1 me Patrik Hrosovsky.

Falë kësaj fitoreje, Real Madrid mban vendin e parë në grup. Një vend të parë që e ndan me Romen, me verdhekuqtë që kanë të njëjtin numër pikësh me madrilenët, por që janë mposhtur në ndeshjen direkte të luajtur kundër tyre.