AKTUALITET, 23 Tetor 2018, 20:54

Rama sulmon Bushatin: Shpifës nëpër ekrane, të dalë mendsh nga mllefi...

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të gazetarit dhe analistit Andi Bushati.

Aksionet e policisë, paketa anti-shpifje dhe ligji për heqjen e lojërave të fatit, janë të gjitha ‘show’ i Ramës për të tërhequr vëmendjen nga rasti “Xhisiela” dhe video e Alizotit, tha Bushati.

Ndërkohë, Rama, përmes një postimi në Twitter, u shpreh: “Ndalimi i bixhozit & goditjet e rënda kundër krimit të organizuar, qenkan për të tërhequr vëmendjen. Vese vese kjo dynja, vesi vesit nuk i ngjan Bixhozçinj kronikë nëpër pika bastesh. Shpifës Kronikë nëpër ekrane! Të parët të sëmurë nga skedinat të dytët të dalë mendsh nga mllefi”.

rama twitter

Më herët gjatë kësaj të marte, Bushati, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, hodhi akuza se qeveria është e lidhur me krimin.

“Sot politika e qeverisë duhet të kishte thjeshtësinë për të thënë krimi ka hyrë thellë në gjirin tonë e ja ku janë provat”, tha Bushati.

“Mark Frroku nuk është rastësi, Saimir Tahiri nuk është rastësi. Sa herë kruan një plagë të del dikush i lidhur me krimin. E dyta, a fitohen zgjedhje me Dakon, a fitohen me Veliajn, Sejdinin, Ramën? Kam mbajtur idenë se opozita sa herë futet në lidhje me këtë kapje sistemi që ka bërë Rama, opozita është fasadë zgjedhjesh dhe jo një konkurrent real. Nuk më duket normale që Rama fitoi vetëm. Nuk është vetëm faji i Bashës, si opozitar i dobët, por dhe me një opozitë të fortë, Rama prapë fiton se ka kapur sistemin. Kur cakton vetë rregullat e lojës, gjithmonë fiton. Është një opozitë më e shëndetshme dhe më efikase po bëri opozitë me gjërat për faktet që ka konsensus i gjithë publiku. Duhen nxjerrë faktet për paratë që futen në fushatë”, deklaroi ai mes të tjerash.