AKTUALITET, 10 September 2026, 12:59

Raporti/ Paga mesatare në Shqipëri arrin në 92.150 lekë! Ndërtimi kryeson për rritjen në tremujorin e dytë, ndërsa sektori financiar mbetet më i paguari

Paga mesatare në Shqipëri ka kaluar për herë të parë kufirin e 92 mijë lekëve bruto në muaj, por një pjesë e madhe e të punësuarve vazhdon të jetë në nivele shumë më të ulëta. 

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 paga mesatare mujore bruto arriti në 92.150 lekë, 9.8% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, 25.8% e punonjësve në vend vazhdojnë të paguhen me pagën minimale.

Raporti tregon se pesha më e madhe e të punësuarve tashmë përqendrohet te pagat nga 60 mijë deri në 120 mijë lekë në muaj. Në të njëjtën kohë është rritur edhe numri i atyre që marrin paga të larta, me kategorinë mbi 120 mijë lekë që përfaqëson tashmë 17.1% të të punësuarve me pagë.

Diferencat mes sektorëve mbeten të mëdha. Punonjësit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit vijojnë të kenë pagat më të larta në vend, me një mesatare prej 187.267 lekësh në muaj, ndërsa sektori i informacionit dhe komunikacionit renditet i dyti me 143.528 lekë.

Rritjen më të fortë të pagave gjatë vitit e ka shënuar ndërtimi, ku paga mesatare është rritur me 22.1%, ndërsa rritja më e ulët është regjistruar në sektorin e arteve, argëtimit, çlodhjes dhe aktiviteteve të tjera të shërbimit, me 6.4%.

Edhe sipas profesioneve, diferencat mbeten të theksuara. Menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë paguhen mesatarisht 141.168 lekë në muaj, ndërsa specialistët me arsim të lartë 119.152 lekë. Nga ana tjetër, rritjen më të madhe të pagave e kanë shënuar zejtarët dhe artizanët, me 16%, të ndjekur nga punëtorët e profesioneve elementare, me 15.1%.