AKTUALITET, 10 September 2026, 11:45

Përshkallëzohet përplasja/ Bllokimi i pagave, magjistratët kallëzojnë në SPAK, ministrin Malaj dhe 14 drejtues të Thesarit

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kallëzojnë në SPAK ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, si dhe drejtuesit e Thesarit në rrethe pas ngërcit të krijuar me pagat e drejtësisë.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.

Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.

Mes personave të kallëzuar është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj. Në kallëzim theksohet se situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.

Sipas kallëzimit, qëllimi është që prokuroria të përcaktojë përgjegjësinë individuale për veprimet ose mosveprimet konkrete që kanë çuar në mosekzekutimin e pagave. Gjyqtarët sqarojnë gjithashtu se kallëzimi penal nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave.

 Ata theksojnë se nisma nuk ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për të arritur një rezultat të caktuar financiar, por vetëm verifikimin në rrugë penale të ligjshmërisë së veprimeve që kanë sjellë bllokimin e pagave.

“Përmes këtij kallëzimi, na lejoni t’iu parashtrojmë rrethanat e faktit dhe argumentimin e kompetencës suaj si dhe përgjegjësisë penale të të kallëzuarve për veprat penale të parashtruara në objektin e këtij kallëzimi.

Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë”, thuhet mes të tjerave  në kallëzim.

Sipas dokumentit, të kallëzuarve u kërkohet përgjegjësi penale për veprat “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, parashikuar nga nenet 248, 320 dhe 320/a të Kodit Penal.

Kallëzimi lidhet me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Sipas rrethanave të përshkruara në dokument, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur më 17 shkurt 2026 (vendimi nr. 15) shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke konstatuar se ato kishin sjellë një ulje “të fshehtë” të pagës së magjistratëve. Gjykata i kishte dhënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore të nevojshme, afat që Kuvendi nuk e respektoi.

Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 435 të datës 26 gusht, dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me vendimin nr. 144 të datës 28 gusht, urdhëruan zbatimin e pagës referuese bazë sipas parametrave të VKM-së nr. 325/2023, me efekt nga 1 gushti 2026. Sipas kallëzimit, degët e Thesarit në pothuajse të gjithë vendin, me përjashtim të Kukësit dhe Dibrës, refuzuan të zbatonin urdhërpagesat me formulën e re, bazuar në një mesazh elektronik të përcjellë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

Ministri Malaj, në një shkresë të datës 2 shtator drejtuar të dy këshillave, e arsyetoi bllokimin me nevojën për verifikime mbi bazën ligjore të listëpagesave dhe premtoi pagesë të shpejtë pas miratimit të ndryshimeve nga Kuvendi. Kallëzuesit e kundërshtojnë këtë arsyetim, duke argumentuar se as Ministria e Financave, as Thesari nuk kanë kompetencë ligjore të bllokojnë në mënyrë të njëanshme ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, edhe kur ka mospajtime administrative, dhe se rruga e vetme ligjore për shtetin do të ishte padia në gjykatë.

Në kallëzim kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore, ndër to administrimi i dokumentacionit të lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të KLGJ-së dhe të KLP-së, i korrespondencës mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit, i gjurmëve elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit, si dhe verifikimi nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme.

Kallëzimin e kanë firmosur, ndër të tjerë, Erjon Bani, Gerd Hoxha, Ilirjan Hysa, Fjorald Behari, Gezim Spahiu, Lirim Bulica, Entiljano Spahiu, Orald Hoxha, Enri Rista, Ardian Dvorani, Ervin Sulaj, Mirjan Mustafaj dhe Elis Dine.