TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Viktima Muhamet Sylisufaj
Prokuroria Kukës do të hetojë në gjendje të lirë drejtorin e shërbimeve publike dhe drejtuesin teknik të punimeve pas vdekjes së një punëtori të bashkisë Tropojë gjatë vendosjes në rrugë të një shtylle ndriçimi.
Ndriçim Gjocaj 36 vjeç dhe Gëzim Hasanpapaj 60 vjeç që u ndaluan një ditë më parë dyshohen për veprën penale, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.
Vdekja e 59-vjeçarit Muhamet Sylisufaj, ndodhi në rrugën e Dobravës, aty ku katër punonjës të sektorit të shërbimeve do të vendosnin në bazament një shtyllë ndriçimi anë rrugës.
Për shkak të peshës së madhe ata humbën ekuilibrin dhe shtylla kapi telat elektrikë duke përcjellë rrymën te punëtorët. Muhamet Sylisufaj, 59 vjeç humbi jetën, ndërsa 3 të tjerët morën ndihmë mjekësore në spital.
Njoftimi i prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës, u ndaluan shtetasit N.Gj. Drejtor i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit dhe shtetasi G.H., teknik i mirëmbajtjes së rrugëve në Bashkinë Tropojë, nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’ parashikuar nga nenet 248 dhe 289 të Kodit Penal.
Shtetasit në fjalë u ndaluan në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr. 390 të vitit 2026, të regjistruar pas ngjarjes së ndodhur në Fshatin Bujan, Bashkia Tropojë.
Në këtë zonë, në datën 08.09.2026, punonjësit e bashkisë M.S., A.D., I.D. dhe A.A., duke montuar një shtyllë të ndriçimit rrugor kanë bërë kontakt me përcjellësit elektrik dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi M.S., dhe janë dëmtuar punonjësit e tjerë, A.D., I.D. dhe A.A.