AKTUALITET, 30 Nëntor 2017, 15:09

Rama i reciton Bashës "shoqen Bule" të K.Th.Spirit. Ja vargjet e plota të poezisë së famshme

Rama i reciton Bashës "shoqen Bule" të K.Th.Spirit. Ja

Debatet midis Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, morën ngjyrime tallëse ndaj njëri-tjetrit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri llogaritë e tri kontratave për incineratorët Edi Ramës, pas vendosjes së bastit të Kryeministrit se nëse tre kontratat kapinin shumën e 400 milionë eurove, ai do të jepte dorëheqjen.

Basha doli në podiumin e Kuvendit dhe lexoi shifrat përmbledhëse të kontratave, që sipas kreut demokrat shkonin 280 milionë euro, ndërsa për transferimin e tyre në shtatë vitet e ardhshme shkonin në 85 milionë euro.

“Në total bëjnë 350-360 milionë euro. E humba bastin, Edi Rama, nuk shkuan 400 milionë euro. Të kërkoj ndjesë, por ti po zhvat jo pak, por 350 milionë euro me një dorë, pasi po ja jep vetëm një njeriu”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Ramës

“Tani e kuptuat që Luli është artist. Kur thoshja unë që Luli, ishte artist, ju talleshit. A e patë me shifra në dorë. Unë i thashë e jap dorëheqjen, ai thotë ti nuk e jep.

Lulzim, po të recitoj një poezi nga K.Th.Spiri: “Do të pi të bëhem thumb!/Ama mendjen mos ta humb,/Se dua t’i kthej xhevap/Shoqes Bule që po llap”/

E përsëris “Horr”, “kriminel” nuk  them kurrë. Kur them ndonjë fjalë nëpër dhëmbë, më ka dalë shpirti. Mediat e kazanit e kanë interpretuar si të donin, por jo faktin se përse më dolën mua ato fjalë.

Më thotë mua, kam kompleksin e humbësit, por ke fituar ti ndonjëherë.

Ti thua kam një tren që bën çuf-çuf, dhe hajdeni prapa. Po, kush do të vijë pas teje? Shifrat e një treni që bën çuf-çuf. Është artist. E patë ju doli tri herë artisti në podium, por nuk foli asnjë nga amendamentet.

Lulzim mos e merr më fjalën për sot. Bashkë do të flasim në rrugë të tjera, do të ndihmoj në rrugë të tjera, për të të shpëtuar nga kjo gjendje tragjike ku je futur”, - tha Kryeministri Rama.

 

Ja dhe poezia e plotë e K.Th.Spirit

“Do të pi të bëhem thumb!”

 

Do të pi të bëhem thumb!

Ama mendjen mos ta humb,

Se dua t’i kthej xhevap,

Shoqes Bule që po llap,

Gjasme ky që kam në shalë,

Në pension më paska dalë…

Po të keqen të m’i marrë

Se e kam bilbil gjyzar,

Se e kam bilbil me vesë,

Këndon darkë e mengjes.

Prandaj sus ti kokëtule,

Ti që e ke emrin Bule

Dhe në mendje mirë ngule,

Ti dhe gjithë sorollupi,

(Për dijeni edhe Çajupi)

Se kjo pallë gjer te supi,

Ua bën grave rrupi-supi!…