AKTUALITET, 9 October 2026, 17:14

Qose pret ambasadorin e OSBE-së: Bashkëpunim për forcimin e mbikëqyrjes policore

Qose pret ambasadorin e OSBE-së: Bashkëpunim për forcimin e

Kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qose, priti në një takim kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Michel Tarran, me të cilin diskutoi vijimin e bashkëpunimit institucional, me fokus forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e mbikëqyrjes policore.

Gjatë takimit, Qose shprehu vlerësimin për mbështetjen e dhënë nga Prezenca e OSBE-së gjatë periudhës kur drejtonte sistemin penitenciar, si dhe për gatishmërinë e saj për të vijuar bashkëpunimin edhe në detyrën e tij të re.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe shkëmbimi i praktikave më të mira mbeten thelbësore për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e agjendës sonë të përbashkët”, u shpreh Qose.

Nga ana e tij, ambasadori Michel Tarran vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me institucionin dhe konfirmoi gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për ta vijuar atë.

“Prania e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të frytshëm prej kohësh me agjencinë tuaj. Jam i sigurt që do të vazhdojmë këtë bashkëpunim. Puna juaj, puna e agjencisë ka një rëndësi të veçantë dhe ne si Prezencë e OSBE-së në Shqipëri jemi në dispozicion për t’ju ndihmuar”, deklaroi Tarran.

Në përfundim të takimit, Qose falënderoi ambasadorin për vizitën dhe vëmendjen e treguar ndaj institucionit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Prezencën e OSBE-së për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale.