AKTUALITET, 9 October 2026, 12:50

VIDEO/ Dyshohet se do të kryenin atentat, arrestohen 3 persona! Operacioni në 4 qytete. Policia: Njëri lidhet me vrasjen e Sarandës

VIDEO/ Dyshohet se do të kryenin atentat, arrestohen 3 persona! Operacioni

Tre persona janë arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se do të kryenin një atentat. Të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje edhe me atentatet e ndodhura në Sarandë dhe Mirditë.

Operacionet policore janë zhvilluar në Shkodër, Lezhë, Kamëz dhe Sarandë. Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e personave të arrestuar dhe për të përcaktuar nëse ata kanë lidhje me ngjarjet kriminale të mëparshme.

Policia po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

 Blutë kanë dyshime të forta se kemi të bëjmë me të njëjtët autorë të atentatit në Sarandë, ku u vra 44-vjeçari Artan Murtaj, i cili njihej si “Tani Ruzhdiut”.

Sipas Policisë, dy prej tyre, të armatosur dhe të pajisur me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, ndërsa personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit.

Në pranga ranë E.Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush, K.Ymeri(Shkambi) 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V.Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin, i cili, sipas Policisë, ka precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë vendit.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, pas marrjes së informacionit për lëvizjet e dyshimta të dy personave me skafandra në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.

Pas kontrolleve dhe patrullimeve në zonën e Lezhës dhe në drejtim të Shkodrës, në aksin “Gjadër-Barbullush”, policia ndaloi një automjet tip “Volkswagen”, ku udhëtonin tre të dyshuarit. Sipas hetimeve paraprake, automjeti do të përdorej për largimin e tyre nga zona ku dyshohet se ishte planifikuar vrasja.

Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet, në banesën e 25-vjeçarit dhe në ambientet përreth saj, u gjetën dhe u sekuestruan 3 pistoleta me krehra e fishekë, municion luftarak, automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast. Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte vjedhur në Suedi.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

VIDEO/ Dyshohet se do të kryenin atentat, arrestohen 3 persona! Operacioni