AKTUALITET, 9 October 2026, 17:08

Vidhnin banesat gjatë natës, teksa familjet flinin / Tre shqiptarë në arrest shtëpie në Itali, dyshohen për 19 grabitje

Vidhnin banesat gjatë natës, teksa familjet flinin / Tre

Tre shqiptarë, të moshave 48, 38 dhe 36 vjeç, janë vendosur në arrest shtëpie në Itali, të dyshuar për përfshirje në një seri prej 19 vjedhjesh banesash në rajonin e Marche-s, të kryera nga janari deri në prill.

Sipas hetimeve të koordinuara nga Prokuroria e Ankonës, tre burrat dyshohet se janë përfshirë në 16 vjedhje të përfunduara dhe tri tentativa në qytetet Osimo, Sant’Elpidio a Mare, Recanati dhe Montecosaro.

Si u zbuluan tre shqiptarët

Hetimi nisi më 14 prill, kur karabinierët ndaluan automjetin me tre personat pranë pikës së pagesës së Loreto-s, në autostradën A14.

Gjatë kontrollit, efektivët gjetën 2.090 euro para të gatshme, një unazë martese dhe një kapëse ari për para, që dyshohet se vinin nga një vjedhje e kryer pak më parë.

Sipas mediave të huaja, të dyshuarit udhëtonin nga Silvi Marina, në provincën e Teramos, drejt zonave të Marche-s, ku dyshohet se kryenin vjedhjet gjatë natës.

Dy hynin në banesa, i treti i priste si shofer

Sipas hetimeve, dy prej shqiptarëve dyshohet se hynin në banesa duke thyer dritaret ose kornizat e tyre, ndërsa personi i tretë shërbente si shofer dhe i priste pas grabitjeve.

Vlera e sendeve të vjedhura, përfshirë para të gatshme dhe bizhuteri prej ari e argjendi, përllogaritet në rreth 50 mijë euro. Kjo shumë nuk përfshin dëmet e shkaktuara në banesat e grabitura.

Me vendim të Gjykatës së Ankonës, tre të dyshuarit do të qëndrojnë në arrest shtëpie, të pajisur me byzylykë elektronikë.

Sipas autoriteteve, dy prej tyre ishin të njohur më parë për forcat e rendit, ndërsa njëri kishte edhe precedentë penalë.