TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në kushtet kur qytetarët shqiptarë paguajnë ndër çmimet më të larta të karburanteve në botë, qeveria vazhdon të rrisë ngarkesën fiskale mbi këtë produkt.
Përmes një vendimi të miratuar në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka rikthyer konçesionin famëkeq të markimit të karburanteve, ndonëse këtë herë përmes shoqërisë publiko-private ALBTrace Co dhe me një tjetër emër.
Vendimi detyron kompanitë e naftës të shënjojnë çdo litër naftë që prodhojnë apo hedhin në treg, përmes një shënjuesi që është monopol ekskluziv i shoqërisë ALBTrace.co. Për këtë shërbim kompanitë do të paguajnë një tarifë 6.5 euro për çdo 1 mijë litra karburant të tregtuar ose prodhuar, kosto të cilën më pas do ja u përcjellin qytetarëve në çmimin fundor të naftës.

"Tarifa kombëtare e shërbimit të shënjimit, që do t’i paguhet shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a., nga subjektet e detyruara dhe do të jetë në shumën prej 6.5 (gjashtë pikë pesë) euro pa TVSH, për 1 000 (një mijë) litra të shënjuara," thuhet në vendimin e qeverisë, që është propozuar nga ministri i Financave, Petrit Malaj.
Një akt ligjor, i cili vendos një tarifë të detyrueshmë në monedhë të huaj dhe jo në lek është një marrëzi më vete. Aq më tepër kur ky akt propozohet nga ministri i Financave dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave. Por ky është problemi më i vogël.
Shënjimi do të rrisë më tej barrën fiskale dhe për rrjedhim edhe çmimin që qytetarët shqiptarë paguajnë për karburantet për të çuar fitime tek privati. ALBTrace.co është një shoqëri e përbashkët publiko private. Shteti zotëron 51 për qind të aksioneve të kësaj shoqërie, ndërkohë që 49 për qind zotërohen nga O & S SECURITY AND SOLUTIONS.
Kjo e fundit është një kompani private nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila zotërohet nga Banka Qendrore e Emirateve dhe zvicerianja Sicpa, ish koncesionari i pullave fiskale.
Ky është praktikisht rikthim i konçesionit të markimit nga dera e pasme dhe me aktorë të tjerë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se shërbimi i shënjimit do të bëhet me qëllim për të luftuar kontrabandën dhe evazionin në sektorin e naftës, një proçes që dështoi me konçesionin e mëparshëm të markimit, i cili nuk solli asnjë përmirësim në mbledhjen e akcizës. Por sipas Ramës, ky konçesion do të jetë më i mirë se sa ai i dhënë nga qeveria e kaluar./Kapitali.al