AKTUALITET, 5 Janar 2018, 12:18

Qeveria llogari për 100 ditët e punës e vetme në timon. Ndryshimet që priten

Qeveria llogari për 100 ditët e punës e vetme në timon.

Kryeministri Rama do të bëjë analizën e qeverisjes së 100 ditëve të para në Asamblenë Kombëtare, që do të mblidhet ditën e shtunë.

Axhenda e asamblesë kombëtare parashikon një analizë së qeverisjes në 100 ditët e para, por dhe prioritetet e saj për vitin 2018. Kjo është analiza e parë që qeveria bën për qeverisjen e saj e vetme, pa aleatë, në tremujorin e parë të saj, ndërsa peshën ia ka vënë dhe bashkëqeverisjes me qytetarët.

Tre muaj më parë, ministrat e qeverisë “Rama 2”, në mbledhjen e asamblesë së 7 tetorit, prezantuan objektivat e 100 ditëve të para të qeverisjes, ndërsa të shtunën ata do bëjnë bilancin e realizimit të tyre.

Menjëherë pas fitores së zgjedhjeve, Kryeministri Rama ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e platformës së bashkëqeverisjes, një praktikë e re në ekzekutivin shqiptar, ku përfaqësues të shoqërisë civile bëjnë lidhjen mes qytetarëve dhe ministrave për problematikat e përditshme të tyre.

Si një proces llogaridhënës, Kryeministri ka vendosur dhe takimet e ministrave në fundjave në çdo qark në bazë të një grafiku, ku do të dëgjojë nga afër shqetësimet e drejtuesve lokalë, por dhe të strukturave të PS dhe qytetarëve për qeverisjen.

Gjithashtu, qeveria ka vendosur që të zhvillojë mbledhjen e saj një herë në muaj jashtë Tiranës, ku ministrat e saj do të raportojnë para qytetarëve. Me interes pritet të dëgjohen nga Kryeministri në asamblenë e së shtunës dhe prioritetet e qeverisë për vitin 2018.

Se si ka ecur bashkëqeverisja me qytetarët, do të ketë një raportim të Koordinatores Kombëtare për Bashkëqeverisje, Elisa Spiropali, e cila zëvendësoi Saimir Tahirin në këtë detyrë. Në mbledhjen e së shtunës, sekretariati ekzekutiv mësohet se do të pësojë ndryshime.

Pritet të ketë emërtime të reja të sekretarëve, duke ndryshuar dhe funksionin e tyre, ndërsa nuk priten ndryshime të emrave aktualë. Mësohet se numri i sekretarëve ekzekutivë të jetë shtatë.

Aktualisht, Bashkim Fino mban postin e Sekretarit për Organizimin Administrativ, Alfred Peza, postin e sekretarit për Organizimin Dixhital, Musa Ulqini atë të Sekretarit për Organizimin e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhëniet me Koalicionin, Elisa Spiropali, Sekretare për Rininë, Stefan Çipa, Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin, Blerina Gjylameti, Sekretare për Koordinimin Elektoral, ndërsa Ilir Beqja është Koordinator Kombëtar për Programin.