AKTUALITET, 9 Mars 2018, 12:16

Provim licence për mjekët e infermierët, dokumentet që duhet të dorëzojnë studentët

Provim licence për mjekët e infermierët, dokumentet që duhet

Të gjithë studentët që kanë përfunduar praktikën profesionale për mjekësi apo infermieri, duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të regjistrohen për provimin e certifikimit. Urdhri i Mjekut ka publikuar në faqen e saj zyrtare njoftimin ku i bën thirrje të interesuarve që të drejtohen pranë institucionit nga data 15 mars deri në 2 prill të këtij viti për të bërë regjistrimin.

Dokumentacioni për mjekët

Të gjithë studentët e mjekësisë që kanë përfunduar praktikën profesionale, duhet të dorëzojnë pranë UMSH-së, listën me dokumentet e kërkuara për të dhënë provimin e shtetit. Përkatësisht, të interesuarit duhet të dorëzojnë një kërkesë me shkrim për regjistrim; formularin e aplikimit; fotokopjen e letërnjoftimit; fotokopjen e noterizuar të diplomës së studimeve universitare; fotokopjen e noterizuar të suplementit të diplomës e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, e në mungesë të tij listën e notave të noterizuar. Gjithashtu, kandidatët, për të bërë provimin duhet të dorëzojnë edhe librezën e Praktikës Profesionale lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë; raportin mjeko?ligjor; një dëshmi penaliteti; një vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; si dhe dy fotografi të formatit të pasaportës. “Suplementi i Diplomës nëse nuk do të dorëzohet në momentin e regjistrimit zyrtar për Provimin e Shtetit, do të dorëzohet në momentin e marrjes së Licencës nga Urdhri i Mjekëve. Hyjnë në Provimin e Shtetit të gjithë mjekët e diplomuar që janë regjistruar provizorisht tek Këshilli Kombëtar dhe kanë përfunduar praktikën profesionale 3 muaj, të parashikuar në rregulloret e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë”,-theksohet në njoftim.

Dokumentacioni për infermierët

Të gjithë të diplomuarit për infermieri që kanë përfunduar praktikën profesionale, duhet që të bëjnë regjistrimet në datën 7 dhe 8 mars për të hyrë në provimin e certifikimit që do të zhvillohet në prill të 2018-ës. Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë zyrave ku kanë bërë regjistrimin në praktikë dokumentacionin përkatës. Respektivisht iu duhet një kërkesë për regjistrim në provim, ku do të përcaktojë saktë për të satën herë hyn në provim praktike; një fotokopje e diplomës dhe listës së notave.; fotokopje e kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit si dhe librezën e Praktikës. “Datat e realizimit të VAP, do të jenë nga data 2-13 prill 2018, për më shumë do të qëndroni në kontakt me faqen e UISH online. Ata që e japin VAP në këtë sezon nuk kanë nevojë të bëjnë konfirmim pjesëmarrje për Provimin e Shtetit, pasi për të gjithë fituesit e VAP, emri herën e parë (dmth direkt pas kalimit të VAP) regjistrohet automatikisht për Provim Shteti”, – thuhet në njoftim.

Dokumentacioni

Për mjekët e diplomuar

– Kërkesë me shkrim për regjistrim 

– Formulari i aplikimit 

– Fotokopje e letërnjoftimit; 

– Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare; 

– Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës 

– Dorëzimi i librezës së Praktikës Profesionale 

– Raporti mjeko-ligjor; 

– Dëshmi penaliteti; 

– Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; 

– 2 fotografi të formatit të pasaportës.

Për infermierët e diplomuar

– Kërkesë për regjistrim në provim, ku do të përcaktoni saktë për të satën herë hyni në provim praktike 

– Fotokopje të diplomës dhe listës së notave

– Fotokopje e kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit

– Librezën e Praktikës