AKTUALITET, 30 Dhjetor 2018, 13:05

Protesta, regjisori: Është momenti që ne të krijojmë sistem të ri së bashku me studentët

Protesta, regjisori: Është momenti që ne të krijojmë

Aktori dhe regjisori i njohur Robert Budina, një nga protestuesit e përhershëm në mbrojtje të Teatrit gjatë fjalës së tij përpara protestuesve që ndodhen përpara kryeministrisë u shpreh se pas 10 muajsh që kur ka nisur protesta e Teatrit aktorët treguan se nuk kanë frikë.

“Ndodhi që Teatri të shërbente si një pikënisje për të frenuar qeverinë të marrë vendime pa pyetur askënd,” – tha Budina.

Ai u tha protestuesve të tjerë se askush nuk duhet të ketë frikë, nëse ata besojnë në veten e tyre.

“Askush nuk ka pse të ketë frikë dhe nëse besoni në veten tuaj, të jeni të bindur se të gjithë do të kenë respekt për ju. Shqipëria do të marrë drejtim tjetër kur ju t’a çoni deri në fund këtë kauzë. Falenderoj studentët, ata janë shumë më të ditur dhe të zgjuar se studentët e 1990-ës, dhe vetëm këta mund të bëjnë një Shqipëri ndryshe,” – tha Budina gjatë fjalës së tij.

Ai gjithashtu falenderoi edhe emigrantët që sipas tij bashkuan shqiptarët sepse ata nuk ka politikë që t’i përlyejë.

Budina u shpreh se protestuesit janë kundër kësaj politike që po e çon vendin në drejtim të paditur sipas tij.

“Është momenti i duhur për të bërë gjënë e duhur, duhet të ndërtojmë një Shqipëri ndryshe. Ne e përcollëm qytetarinë tonë, tashmë është koha që ne të bashkohemi dhe t’a krijojmë atë sistemin e ri”.