AKTUALITET, 17 Dhjetor 2017, 20:17

“Protesta për Kryeprokurorin, Rama po ia rrëmben bandës tjetër politike”

“Protesta për Kryeprokurorin, Rama po ia rrëmben bandës

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ka një këndvështrim tjetër në lidhje me protestën e paralajmëruar përpara kuvendit të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm (i përkohshëm). “Çështja është që drejtësinë dhe sidomos prokurorinë, nuk e ka pasur asnjëherë populli gjatë këtyre 27 viteve. Prandaj Rama ndihet i qetë në atë që po bën. Ai po ja rrëmben prokurorin bandës tjetër politike. Historia 27-vjeçare mes PD-së dhe PS-së është si e atyre bandave jashtë kontrollit që luftojnë për të zotëruar dhe zgjeruar territore, për të bërë sa më shumë plaçkë”, thuhet në deklaratën e partisë “Zgjidhja” për protestën e nesërme.

DEKLARATA E PLOTË

Deklaratë e partisë “Zgjidhja” për protestën e nesërme të PD-së

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të organizojnë një protestë përpara kuvendit, kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm (i përkohshëm). “Zgjidhja” është deklaruar e para se Edi Rama që në nisje të Reformës në Drejtësi, do të synonte me çdo mjet kapjen edhe të këtij pushteti. Çështja është që drejtësinë dhe sidomos prokurorinë, nuk e ka pasur asnjëherë populli gjatë këtyre 27 viteve. Prandaj Rama ndihet i qetë në atë që po bën. Ai po ja rrëmben prokurorin bandës tjetër politike. Historia 27-vjeçare mes PD-së dhe PS-së është si e atyre bandave jashtë kontrollit që luftojnë për të zotëruar dhe zgjeruar territore, për të bërë sa më shumë plaçkë. Kështu është edhe puna e betejës së nesërme, mes Berishës dhe Bashës, nga njëra anë, dhe kreut të bandës tjetër që sot ndihet i plotfuqishëm, Edi Ramës dhe PS-së nga ana tjetër.

Po bëhen gati 3 dekada që kjo klasë politike, e bën edhe luftën edhe paqen në kurriz të shqiptarëve dhe vetëm për interes të pasurimit dhe makutërisë së saj. Këta nuk e kanë problem të djegin edhe vendin, por edhe që të merren vesh kur u a do interesi, siç bënë me Kushtetutën në vitin 2008 dhe siç kanë bërë sistematikisht me kodet zgjedhore.

“Zgjidhja” refuzon të bëhet pjesë e kësaj loje, brenda së cilës janë edhe protestat për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. ZGJIDHJA është e bindur se nuk do të ketë kurrë drejtësi e prokuror të pavarur në këtë vend, nëse nuk do të instalohen përfundimisht zgjedhjet e lira dhe nuk do të reformohet sistemi politik e kushtetues i Shqipërisë. Opozita parlamentare të nisë presionin ndaj Edi Ramës, deri në brakstisje të Kuvendit, me qëllim kryerjes urgjentisht të Reformës Zgjedhore dhe çlirimit të zgjedhjeve nga partitë e vjetra. Për këtë çështje ja vlejnë protesta dhe demostrata të fuqishme. Kjo është sprova e fundit e kësaj opozite parlamentare. Nëse duan vërtet prokuror të pavarur, le të heqin dorë vetë të parët nga administrimi i zgjedhjeve. Për këtë duhet të ishte protesta e nesërme dhe në vazhdim, derisa të çlirohet vota që e grabisin dhe e ndajnë së bashku PS-ja, PD-ja dhe partitë e tjera që administrojnë zgjedhjet. ZGJIDHJA është e vendosur të frymëzojë dhe mobilizojë masat e gjera të popullit në lëvizjen e madhe dhe revolucionin paqësor që do ta shembë politikën dhe elitën e vjetër politike shqiptare, do rivendosë sovranitetin e shtetit tonë kombëtar, do të udhëheqë emacipimin shoqëror dhe zhvillimin e shpejtë ekonomik, do të garantojë përmbushjen e ëndrrës sonë për bashkim kombëtar dhe drejtësi për popullin!

#ZgjidhjaPërDrejtësinë