TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prej dy ditësh studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë dalë në protestë për shkak se një pjesë e fidanishtes dhe e vreshtave, që shërbenin për orët laboratorike, do të prishen, për shkak se në këtë truall sipas Bashkisë së Tiranës do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare.
Në një deklaratë të bërë për mediat rektori Bahri Musabelliu u shpreh se toka ku Bashkia pretendon që të ndërtojë shkollën është në pronësi të dy qytetarëve, me të cilët UBT prej kohësh është në një proces gjyqësor.
Ai tha se çështja ka kaluar për rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërsa hodhi akuza në drejtim të Bashkisë së Tiranës që nuk ka marrë parasysh kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Musabelliu u shpreh se ndërtimi i shkollës do të pengonte aktivitetin normal të studentëve, dhe do ti zinte frymën Universitetit.
“Ajo që më shqetëson në këtë histori është se ka vende të tjera se ku mund të ndërtohet shkolla, pasi këtu është një kampus universitar.
Nuk mund të ketë vend edhe për shkollën dhe për Fakultetin, për këtë i kemi kërkuar Bashkisë së Tiranës që kjo zonë të përfshihej në Pyllin Orbital. Ne kemi kërkuar që ndërtimi i shkollës të ndërtohet në një zonë tjetër, pasi janë të njëjtët pronarë që kanë ngastrat e tokës. Ndërtimi i kësaj shkolle do të pengonte masterplanin.
Unë nuk dija asgjë për ndërtimin e kësaj shkolle, edhe pse jam titullar i këtij institucioni, unë nuk e kuptoj si mund të bëhej kjo pa na pyetur ne që jemi të zotët e punës”, u shpreh Musabelliu.